/ ATSH / - Kanë përfunduar edhe 3 ndeshjet e futbollit të Super Ligës në vend.
Ndeshja e parë, ajo midis Flamurtarit të Vlorës dhe Elbasanit është zbardhur në shifrat 2 me 1.
Pjesa e parë është mbyllur në avantazhin e vlonjatëve, me anën e golit të realizuar që në minutën e 5-të nga Bregu.  Në minutën e 67-të, Toçi ka barazuar për miqtë, gol ky i cili do të vlejë vetëm për statistikë për Elbasanasit (zyrtarisht të rënë nga kategoria) pasi Shehaj në minutën e 90-të i jep golin e avantazhit dhe fitores Flamurtarit, i cili pas kësaj fitore renditet në vendin e 6-të me 38 pikë.
Elbasani e sheh veten zyrtarisht të rënë dhe në fundin e tabelës, ku në 32 takime, skuadra ka marrë vetëm 13 pikë.
Në takimin tjetër, atë të zhvilluar po në bregdet, por kësaj here jo më në Vlorë por në Durrës, Teuta e Durrësit nuk ka mundur dot të shkëpusë ndonjë pike nga "Demat e Kuq" të Partizanit, të cilët e kanë fituar takimin me durrsakët në shifrat 0 me 1.
Në minutën e 54-rt, Batha shënon për Partizanin golin e vetëm të takimit, gol ky i cili i rendit "Demat" e Duros në vendin e dytë së bashku me Tiranën dhe Kuksin, të cilat ndeshjet e vlefshme për javën e 32-të të Super Ligës do t'i zhvillojnë ditën e nesërme.
Teuta e Durrësit ndodhet në vendin e 8-të me 26 pikë të grumbulluara.
Sakaq, takimi disi surprizë ka qënë ai i zhviluar në Fier, ku Apolonia ka mundur Shkodranët e Vllaznisë me rezultatin 2 me 0.
Golat e Dimo(në minutën e 51) dhe Ribaj (në atë të 87) i kanë dhuruar 3 pikëshin e fitores Fierakëve.