Stamati: Veprat e trashëgimisë
u transportuan si të ishin dru zjarri

Stamati: Veprat e trashëgimisë<br />u transportuan si të ishin dru zjarri
Lëvizja e ikonave nga Galeria Kombëtare e Arteve të hedhura grumbull në furgon, ka tronditur specialistët e trashëgimisë. Restauratori i njohur Frederik Stamati tha për “Shqiptarja.com” se: “E pashë kronikën që bënte fjalë për lëvizjen e ikonave të Gjergj Thimjos me furgonët dhe u trondita. Ato edhe pse janë sekuestruar nga koleksioni i tij janë vepra të trashëgimisë kulturore. Dhe këto vepra të trashëgimisë kulturore nuk mund të ngarkohen në furgona si dru zjarri”.

Stamati u shpreh se “Lëvizja e tyre duhej bërë nga specialistët dhe veprat të paketoheshin e duhet të lëvizin me grupe”. Stamati nuk e justifikon as qëndrimin e specialistëve të Galerisë Kombëtare. Ai u shpreh se “edhe pse ata nuk kanë pasur të drejta veprimi mbi ikonat, duhet të kishin ndërhyrë e të ngrinin zërin për mënyrën e transportit.

Frederik Stamati, aktualisht restaurator në Muzeun Historik Kombëtar, me një karrierë të gjatë në restaurimin e veprave të trashëgimisë kombëtare (ku dora e tij ka bërë mrekullira), e ka ngritur zërin duke i bërë apel edhe vet Ministrisë së Kulturës për të lënë fatet e trashëgimisë në dorë të specialistëve dhe jo në dorë të njerëzve jokonpetentë. “Veprat e trashëgimisë të hedhura në furgona në atë mënyrë tregojnë se kjo është kultura e Ministrisë së Kulturës, që nuk e lë fatin e trashëgimisë në dorë të specialistëve, por e lë në dorë të pseudospecialistëve dhe abuzuesve të trashëgimisë”, tha Stamati mes të tjerash në intervistën për “Shqiptarja.com”
 
 
Zoti Stamati nëse jeni në dijeni të lajmit për lëvizjen e ikonave të koleksionit të Gjergj Thimjos nga Galeria Kombëtare e Arteve, si e gjykoni?

 
-E pashë lëvizjen e ikonave me furgonët dhe u trondita. Ato edhe pse janë sekuestruar nga koleksioni i Gjergj Thimios janë vepra të trashëgimisë kulturore. Dhe këto vepra të trashëgimisë kulturore nuk mund të ngarkohen në furgona si dru zjarri. Lëvizja e tyre duhej bërë nga specialistët dhe veprat të paketoheshin dhe duhet të lëvizin me grupe dhe jo ashtu. Ka rregulla për lëvizjen  e veprave të trashëgimisë. Ato duhet amballazhuar me kujdes dhe nuk u justifikohet as specialistëve të Galerisë Kombëtare që dinë këto gjëra që ta lejonin transportimin e ikonave në këtë mënyrë.
 
 
Por drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani, ka dhënë reagimin se nuk kanë pasur të drejta ata si institucion të veprojnë tek këto objekte.

 
-Nuk kanë pasur të drejta, por ata duhet ta kishin thënë se çfarë duhet bërë, duhet ta kishin denoncuar. Ose mbase edhe e kanë thënë e nuk i ka dëgjuar njeri. S’di ç’të them për këtë. Por në fakt veprat e trashëgimisë të hedhura në furgona në atë mënyrë tregojnë se kjo është kultura e Ministrisë së Kulturës, që nuk e lë fatin e trashëgimisë në dorë të specialistëve, por e lë në dorë të pseudospecialistëve dhe abuzuesve të trashëgimisë.
 
 
A duheshin paketuar edhe gjatë sekuestrimit. Me sa kujtoj në të njëjtën mënyrë erdhën edhe kur u sekuestruan në Galerinë Kombëtare?
 
-Sigurisht edhe gjatë sekuestrimit ato nuk janë mirëmbajtur dhe kanë krijuar dëmtime të tjera. Dëmtime që vijnë nga përplasja, fërkimi me njëra-tjerën dhe tronditja nga peshat apo format e objekteve të tjera. Për mua si restaurator lëvizja në këtë mënyrë u shkakton veprave dëme të pollogaritshme. Nuk është ky rasti i vetëm i transportimit të veprave të trashëgimisë që bëhen të tilla dëme, por është një rast e përsëritur. Sepse problemi këtu qëndron tek kultura që kanë krijuar institucionet tona. Është e patolerueshme kur sheh që institucionet e kulturës veprat e trashëgimisë i lënë në dorë të policisë dhe jo të specialistëve. Le t’i shoqëronte policia, le t’i survejonte, por nuk duhet të lëvizen objektet nga dora e policisë. Policia për rrugëtimin e veprave duhet kishte me vete specialistë të trashëgimisë. Pra, ky është faj i të gjitha institucioneve të trashëgimisë, që precipiton me këtë skandal. Për mua lëvizja në atë mënyrë është skandal. 
 
Kujt i bie përgjegjësia më e madhe për dëmet që janë shkaktuar sipas jush, sepse do t’ju hapet më shumë punë edhe juve nëse i restauroni?
 
-Çështja nuk është aq tek puna ime, por është tek Ministria e Kulturës dhe te institucionet vartëse të saj. Kjo është “kultura” që ofron ministria e Kulturës për Trashëgiminë. Kjo është “kultura” që ofrojnë institucionet më të larta të shtetit, duke mos e lënë trashëgiminë në dorë të specialistëve, por duke e lënë në dorë të keqbërësve, abuzuesve dhe pseudospecialistëve. Ju e dini se unë kam folur edhe më parë me ju. Me këta pseudospecialistë desh shkatërruan Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Çfarë mendimi keni për faktin që këto vepra kishin përfunduar në koleksionin e Gjergji Thimjos dhe për sekuestrimin e tyre nga shteti e burgosjen e koleksionistit?

 -Unë di që Gjergj Thimjo ishte i licensuar si koleksionist dhe m’i ka treguar edhe mua koleksionin e tij. Të paktën ai i mirëmbante. Më saktë, përpiqej t’i mirëmbante me aq sa dinte, sepse mirëmbajtja më e mirë për objektet e trashëgimisë sigurohet vetëm në një muze të specializuar. Nëse duheshin sekuestruar apo jo, këto janë punë që duhen sqaruar me saktësi ligjore, por edhe pse iu sekuestruan Gjergj Thimjos, ato duhej të ruheshin me kujdes, dhe të mos trajtoheshin në mënyrë kaq skandaloze. Por për fat të keq trashëgimia kulturore po drejtohet nga kultura e spekulimit.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Rama: Ditën kur Albin Kurti shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë

Rama: Ditën kur Albin Kurti shpalli fushatën kundër qeverisë time hëngrëm spageti bashkë