ANKARA - Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, tha se do të vazhdojë planet për ndërtimin e një qendre tregtare dhe residencë banese në Sheshin Taksim të Stambollit, me gjithë protestat e dhunshme që ka shkaktuar projekti kontrovers. Kryeministri është zotuar se do të rivendosë rendin dhe u ka bërë thirrje protestuesve që të ndalojnë demonstratat menjëherë.

Protestuesit janë në revoltë për të shpëtuar pemët në sheshin “Taksim” në Stamboll për të mbrojtur “Gezi Park”, në të vetmen zonë të gjelbër të qytetit. Policia përdori të shtunën gazin lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit, duke shkatërruar edhe tendat e vendosura në park prej tyre që prej disa ditësh. Tashmë manifestimet kanë marrë tjetër kthesë ku protestuesit kanë bërë thirrje për dorëheqjen e Erdoganit.

Trazirat në Stamboll që kanë nisur që prej ditës së premte janë shpërndarë edhe në Ankara dhe Izmir. Kryeqyteti turk ka hyrë në ditën e dytë të protestave pas përleshjeve mes policisë dhe demonstruesve, ku si pasojë kanë mbetur dhjetra vetë të plagosur.

Redaksia Online
(l.c/b.y/shqiptarja.com)