TIRANE- Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin De La Beij, nëpërmjet një letre deklaron moslëvizjen nga pozicioni kundër dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Këtë e thotë në përgjigje të interesimit të Top Channel për të mësuar pozicionin e qeverisë së vendit të tij. Ambasadori thotë se pozicioni i qeverise holandeze nuk ka ndryshuar që prej letrës së 26 tetorit 2012, dërguar nga kabineti qeveritar për parlamentin holandez, letër e cila shpjegon opinionin e kabinetit qeveritar në lidhje me Strategjinë e Zgjerimit që Komisioni Europian bëri publike në 10 tetor 2012. "Holanda e mirëpret këtë raport dhe mbështet theksin e vënë nga Komisioni Europian mbi rëndësinë e Shtetit të së Drejtës që diskutohet me të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare të BE-së", thotë ambasadori holandez De la Beij, në përgjigjie dhe të deklaratës së ministres shqiptare së Integrimit, Majlinda Bregu e cila kishte nënvizuar se qëndrimi negativ i Holandës për statusin ishte ai i një qeverie që ka humbur pushtetin. Ajo deklaroi se Holanda ka siguruar Shqipërinë për një qëndrim tjetër. Ambasadori holandez në Tiranë ka nvizuar qartë se "Raporti i progresit përmban një analizë dhe vlerësim shumë të mirë dhe të detajuar për këto vende. Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t'i jepet statusi i vendit kandidat, me kushtin e plotësimit të masave të rëndësishme (kyçe) në fushën e reformës së gjyqësorit, reformës në administratën publike dhe rishikimit të rregullores dhe procedurave të parlamentit. Komisioni gjithashtu do të vlerësojë përpjekjet e metëjshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar". Në vijim të letrës ambasadori thekson se Hollanda është dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e politikave të BE për zgjerimin. Edhe njëherë tjetër në emër të qeverisë hollandeze ambasadori Martin de la Beij thekson se gjithsesi, "bazuar në kriteret e Kopenhagenit, Hollanda ka opinionin se Shqiperia nuk është ende gati për statusin e vendit kandidat". Hollanda e vlerëson shumë sipas tij, atë ç'ka është bërë dhe arritur në këtë një vit e gjysmë, si për shembull emërimi i Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ligji mbi imunitetet. Pozicioni Hollandës përballë zhvillimeve në Shqipëri që lidhen me integrimin është i qartë pasi sipas ambasadorit të mbrëtërisë së Hollandës, Për të, tani është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë shembuj konkrete se si këto ligje zbatohen dhe vihen në jetë. Në përgjigjen e ambasadorit holandez nuk mungon së kujtuari autoriteteve shqiptare se "Raporti e dekaron qartazi se Shqipëria duhet të ndërtojë një "track record" të besueshëm (bazë të besueshme të dhënash), duke vertetuar faktin se këto ligje kanë mundësi të ekzekutohen dhe të zbatohen. Por ky nuk është ende rasti, prandaj sipas ambasadorit "Hollanda është e mendimit se është shumë herët për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat". Ambasadori e mbyll letrën e tij me qëndrimin se vendi i tij ka qënë gjithnjë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë, por e ka vetë ajo në dorë një gjë të tillë. "Hollanda ka patur gjithmonë një politike "strikte dhe të drejtë" për sa i përket procesit të zgjerimit. Është Shqipëria ajo që duhet të bëjë përpjekjet për të përmbushur kriteret dhe për të treguar se është e mundur që këto kritere të zbatohen", thotëambasadori holandez. Zyrtarët e lartë holandezë, kanë qënë në të njejtën linjë në lidhje me statusin, duke deklaruar se Shqipëria s'është gati. Çka do thotë se sikur një vend të jetë kundër në dhjetor, atëherë vendimi për statusin është negativ.

(sg/shqiptarja.com)