TIRANE- Shqipëria është rast unikal në Evropë që i është refuzuar statusi i vendit kandidat tre herë, ndërsa herën e katërt vitin e kaluar iu shty me 6 muaj në qershor 2013. Vendi ynë e nisi odisenë në kërkim të statusit të vendit kandidat në maj të 2009, pikërisht pak ditë para fushatës elektorale, teksa Berisha kryeministër dhe në kërkim të një mandati të dytë qeverisës përmes një “galopimi” të pamenduar politik shkoi në Pragë dhe i dorëzoi kryeministrit çek në detyrë kërkesën për marrjen e statusit.

Paçka se vendet e evropiane sugjeruan që të mos ketë nxitim në prag të zgjedhjeve. Por më 2009 Komisioni Evropian nuk e mori në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë, ndërsa e mori në dhjetor 2010. Pikërisht këtë vit Shqipërisë iu refuzua statusi për herë të parë. Ndërkohë u vendosen 12 kushte për t’u realizuar brenda vitit, me të cilave bashkëpunim të qeverisë dhe opozitës në ngritjen e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, si dhe për ngritjen e një grupi pune për procedurat parlamentare.

Refuzimi i statusit të vendit kandidat për herë të dytë erdhi një vit më vonë sërish në qeverisjen e Berishës, e sërish në dhjetor. Zgjedhjet vendore të 8 majit 2011 tronditën besimin e BE për Shqipërisë, ku u evidentua fakti se zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës u prishën në tavolinë në favor të Bashës nga Ristani. “Zgjedhjet e fundit të muajit maj u shënuan nga disa mangësi që duhen adresuar brenda kornizës ligjore të reformës. Shqipëria ka bërë progres të limituar për të përmbushur kriteret politike për anëtarësim e për 12 prioritetet kyçe për hapjen e negociatave”, thotë raporti.

Sipas BE përpjekje të mëtejshme nevojiten veçanërisht në gjyqësor, në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, mbrojtjen e minoriteteve e të drejtat e pronësisë. Hartuesit e dokumentit thonë se aktorët politikë duhet të rivendosin një dialog më të qëndrueshëm. Shqipërisë i është refuzuar statusi i vendit kandidat në BE për herë të tretë në dhjetor të 2012. Ministrat e Jashtëm të BE kanë arritur në konkluzionin se Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet për të marrë këtë status, megjithatë zgjerimi me vende të reja është rikonfirmuar si politike kyçe e BE.

Ministrja e Jashtme e Qipros, Erato Kozakou-Marcoullis vend që mban presidencën e BE, ndërsa përgëzoi Shqipërinë për progresin e bërë, tha se zgjedhjet e ardhshme të 2013 janë një test kyç për statusin. Ndërkohë që komisioneri Fyle përmendi faktin se Shqipëria duhet të plotësojë 5 kushte. Duke kërkuar sërish dialog mes palëve politike.

Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, megjithëse kishte një mbështetje të fortë nga ana e Komisionit Evropian, që vlerësoi reformat e qeverisë së re, këmbëngulja e disa vendeve euroskeptike, duke qënë se ishin dhe në prag të zgjedhjeve për në Parlamentin Evropian nuk e refuzuan statusin, por e shtynë për ta dhënë në qershor të këtij viti, për të patur më shumë kohë për të gjykuar për efikasitetin e qerverisë së re kundër krimit e korrupsionit.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)