Republika Çeke mund të votojë kundër dhënies së statusit kandidat për në BE Shqipërisë,lajmi është bërë i ditur nga media çeke CTK. Sipas saj shkak i këtij vendimi të mundshëm është konflikti mes kompanisë së energjisë CEZ dhe qeverisë shqiptare. Raportimi  i agjencisë së lajmeve CTK bazohet duke cituar burime të sigurta nga Brukseli.

Republika Çeke ka paraqitur padinë e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Tiranës, pasi autoritetet shqiptare revokuan licencën e CEZ, konfiskuan pasuritë e saj dhe e detyruan kompaninë të largohet nga vendi.

CEZ po kërkon kompensim për dëmtimin e investimit të saj në kompaninë CEZ Shpërndarje, e cila është modernizuar dhe zgjeruar në koston e 100 milionë eurove.

Bisedimet midis Pragës dhe Tiranës për këtë çështje aktualisht janë të bllokuara. Ndërkohë, më herët këtë muaj, Komisioni Evropian mbështeti statusin e vendit kandidat në BE dhe një votë në lidhje me këtë çështje pritet gjatë verës nga të gjitha shtetet anëtare.

Enti Rregullator i Energjisë më 21 Janar 2013 i hoqi Kompanisë CEZ Shpërndarje, të dyja licencat që ajo zotëronte në sektorin shqiptar të energjisë, ajo për shpërndarjen dhe tjetra për furnizimin publik me pakicë të energjisë elektrike.

Në po të njëjtën ditë, ERE-ja i kërkoi Këshillit të Ministrave të procedonte me shpronësimin e aseteve të kompanisë çeke “CEZ”.
 
Heqja e licencave të CEZ u krye me argumentimin e shkeljes së kontratës për mos furnizimin me energji dhe gjithashtu për mos uljen e humbjeve në rrjet.

Kompania çeke e CEZ muajt e fundit që administronte furnizimin me energji në Shqipëri kishte krye disa ndërprerje të energjisë kolektive të një zone të caktuar vetëm pas disa banorë të asaj zone nuk paguanin. Kjo pikë gjithashtu ishte një nga argumentet e heqjes së licencave
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)