VIENE- Ndërkohë që Shqipëria këtë muaj pritet të marrë vendimin e KE për dhënien apo jo të statusit të vendit kandidat në BE, vjen mbështetja edhe nga Austria. Ministri i Jashtëm austriak Sebastian Kurz, ka theksuar se mbështetja për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë “nuk është i rëndësishëm vetëm për vendin, por për të gjithë ne”. Ky angazhim ka ardhur gjatë Konferencës së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe konferencës së Ministrave të Jashtëm të Nismës së Europës Qendrore (Iniciativa e Evropës Qendrore), e cili përfshin 18 vende, mes tyre edhe Italia;
 
“Me marrjen e Presidencës së BE-së do të kemi përgjegjësinë të sigurojmë se ky prioritet do të jetë i gjithë Bashkimit Europian”, ka siguruar ministrja e Jashtme italiane Federica Mogherini, në fjalën e saj.
 
“Është e rëndësishme të theksojmë se integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes reciprok të vendeve të rajonit, por edhe atyre të BE. Jemi plotësisht të bindur se procesi i zgjerimit është në qendër të projekteve të vetë Europës. Është e rëndësishme të thuhet sot, 100 vjet pas luftës së Parë Botërore”, tha Mogherini.
 
Sipas ministres së Jashtme italiane “Italia është e vetëdijshme se është një çështje në interes të përbashkët prania e stabilitetit, rritjes ekonomike dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që është kaq afër nesh”. Është në vëmendjen tonë që kjo të jetë një nga temat prioritare gjatë presidencës sonë të BE, është një zonë në të cilën ne mundemi shumë dhe është mirë që të vëmë në zbatim fuqinë tonë për të stabilizuar këtë rajon që ka treguar se di të ecë përpara me reformat”.
 
Rëndësia e integrimit është theksuar edhe nga komisioneri i BE-së për Zgjerimin Stefan Fye, i cili tha se “kuptoj se kjo nuk është çështja kryesore për europianët, pasi për shumë prej tyre e tillë është puna, për të tjerë rritja, e për të tjerë akoma mund të jetë mjedisi. Megjithatë, Europa nuk është një çështje e vetme, por shumë. Ndaj është e rëndësishme të kuptojmë se zgjerimi nuk ka qenë asnjëherë një problem, pasi BE është bërë më i fortë dhe jo më i dobët”.
 
Ndërsa ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, u shpreh se presidenca greke nuk është e vemja që promovon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndërsa shtoi se “Jemi të sigurt se do të vijohet në këtë rrugë”.
 
Gjatë konferencës u theksua edhe roli i Nismës së Europës Qendrore (e cila këtë vit feston 25 vite aktivitet), si “një mjet kyç për lehtësimin dhe nxitjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)