TIRANË, 24 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur sot me anë të një deklarate për shtyp vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për t'i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
MPJ e konsideron këtë vendim "si një hap në realizimin e aspiratës evropiane të vendit tonë". "Vendimi i Bashkimit Evropian është një njohje e arritjeve të reformave ambicioze e gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Shqipëria", thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Sipas MPJ-së, "ky vendim është, gjithashtu, një inkurajim për përpjekje të mëtejshme në procesin e reformave. Shqipëria e sheh statusin e vendit kandidat si çeljen e një rruge që do të kërkojë reforma edhe më të thella, për t'u përgatitur për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit".
"Qeveria ka angazhimin më të lartë për kryerjen e këtyre reformave, veçanërisht të atyre që lidhen me sundimin e ligjit, me bindjen se vetëm një transformim i thellë modernizues do të realizojë aspiratën tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të denjë tëfamiljes evropiane", përfundon deklarata e MPJ-së.
/f.n/