TIRANË, 24 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ - Presidenti i përkohshëm i Parlamentit Evropian, Gianni Pittella, deklaroi sot mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë se "është një gur kilometrik në udhën drejt anëtarësimit eventual në BE".
Në deklaratën e tij, pasi Shqipërisë iu dha sot nga ministrat e Jashtëm të BE-së statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Gianni Pittella, Presidenti i përkohshëm i Parlamentit Evropian, u shpreh se, "E përgëzoj Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, subjekt miratimi i Këshillit Evropian këtë javë. Është një gur kilometrik në udhën drejt anëtarësimit eventual në BE".
Sipas tij, "statusi njeh progresin e Shqipërisë në reforma, rolin e saj konstruktiv në rajon dhe angazhimin e qeverisë ndaj agjendës së BE-së. Shpresoj se do të ndihmojë për të afruar ndarjet e thella mes forcave politike që shpesh pengojnë progresin në vend".
"Reformat ia vlejnë të ndiqen në të mirë të qytetarëve, jo vetëm për hir të BE-së. Prandaj unë e nxis Shqipërinë të këmbëngulë në përpjekjet për çrrënjosjen e korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, forcimin e gjyqësorit dhe vazhdimin e modernizimit të ekonomisë së saj, që janë ndër sfidat kryesore të vendit", tha Pitella.
"Perspektiva evropiane e Shqipërisë luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor", përfudnoi deklaratën e tij Pitella.