Presidenti Hollande i shprehu Kryeministrit Rama mbështetjen e Francës për integrimin europian të Shqipërisë. Gjithashtu, gjatë takimit, Presidenti francez theksoi se Shqipëria shihet si vend stabiliteti në rajonin e Ballkanit.
Në takim u bisedua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ku Presidenti Hollande vlerësoi rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe kulturës, por edhe bashkëpunimin ushtarak e policor.
Kryeministri Edi Rama e falenderoi Presidentin François Hollande për mbështetjen e vazhdueshme të Franca i ka dhënë Shqipërisë.
Ftesën e Kryeministrit Rama për të vizituar Tiranën, Presidenti Hollande e vlerësoi si një vizitë që mund të bëhet realitet në një kohë të afërt.
Në këtë takim merrnin pjesë dhe Ministri i Jashtëm francez Laurent Fabius dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati.
Rama për "A1 Report": Takimi me Hollande mbi pritshmëritë
Ndërsa, menjëherë pas takimit me presidentin Hollande, kryeministri Rama tha për Drejtorin e Televizionit "A1 Report", Ilir Babaramo, se takimi me Holande ka kaluar pritshmëritë e tij, duke shtuar se ndihet optimist për qëndrimin e Francës, në vendimarrjen për statusin kandidat për Shqipërinë.
Më herët gjatë një interviste të dhënë për televizonin francez “Le Grand Soir 3”, kryeministri Rama, teksa u shpreh optimist për marrjen e statusit kandidat, tha para Francës skeptike se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian, duke theksuar se marrja e statusit nuk përkthehet automatikisht në anëtarësim në BE.
Nje takim pertej pritshmerive dhe kenaqesi qe njesoj si kancelarja Merkel dhe Presidenti Hollande do vije ne Shqiperi pic.twitter.com/m0HhVrJytf
— Edi Rama (@ediramaal) June 11, 2014
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Francë, i shoqëruar nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, për të lobuar për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në kuadër të afrimit të 27 qershorit, ditën kur liderët e BE-së do të japin verdiktin e tyre për statusin e Shqipërisë, pas rekomandimit pa kushte që erdhi nga raporti i Komisionit Evropian më 4 qershor. Në kuadër të turit të lobimeve për statusin pak ditë para vendimit, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ndodhet në Holandë ku është takuar me me zyrtarë të lartë të shtetit hollandez
(Foto/Kryeministri Rama gjatë takimit me presidentin francez Hollande në Francë)
(Foto/Kryeministri Rama në takim me presidentin e Senatit francez)
Pallati “Elysee” zbardh takimin Rama-Hollande, theksi te forcimi i shtetit ligjor
Pallati “Elysee” zbardh takimin e Presidentit Hollande me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, duke theksuar se takimi shërbeu për t’u informuar mbi përafrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe, në veçanti, çështja e mbështetjes së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, pas publikimit të raportit të Komisionit më 4 qershor. Në njoftimin e “Elysee” thuhet se “Presidenti francez përsëriti mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe inkurajoi zotin Rama për të vazhduar me përpjekjet për të përmirësuar qeverisjen, sundimin e ligjit, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
Në njoftimin theksohet se “Autoritetet franceze do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje ndaj qeverisë shqiptare për të zbatuar reformat e pritshme për këtë qëllim”.
“Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti francez ranë dakord për t’i dhënë një shtysë të re marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike”, vijon njoftimi.
Së fundi, Presidenti i Republikës e ka theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në mes të vendeve të Ballkanit, esenciale për modernizimin dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Paris, Rama: Mos u shqetësoni marrim statusin, jo "BE-në"
Kryeminsitri Edi Rama shpreh bindjen para Francës skeptike, se Europa është e ardhmja e Shqipërisë…dhe zgjedh t’i qetësojë ata duke i thënë se vendi ynë do të marrë statusin e vendit kandidat, e se kjo nuk përkthehet se nesër do të jemi menjëherë anëtarë.
Gjatë qëndrimi në Paris, cilësuar si vend skeptik për zgjerimin e BE-së me anëtarë të rij, Rama ka dhënë një intervistë për emisionin “Le Grand Soir 3”.
Sipas kryeministrit Rama Shqipëria hyn tek ato vende që e shohin Europën e Bashkuar si një projekt të madh të nisur pas Luftës së Dytë Botërore dhe jo Europën e pas zgejdhjeve të Parlamentit Europian, pasi sipas tij nuk ka projekt që mund të krahasohet me atë Europian...dhe Shqipëria duhet të jetë pjesë.
Gazetari francez i qaset realitetit të Majit duke pyetur: I keni ndjekur me vëmendje imagjinoj zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe keni parë që ka shumë zhgënjim kundrejt Europës dhe institucioneve Europiane ndërsa ju doni t’i bashkoheni klubit, çfarë ju tërheq në Europë ?
E Rama i përgjigjet:
Ne bëjmë pjesë në europianët që nuk janë akoma të zhgënjyer nga Europa. Ne bëjmë pjesë në europianët që vazhdojnë ende të besojnë endrrën e Shumanit dhe të gjithë baballarëve themelues të Europës.
Do t’ju them diçka; ka njëqind vjet që kur Lufta e Parë Botërore filloi dhe pas saj cikli i luftërave, por është hera e parë që kemi paqen mes vetes ne në Ballkan, jo sepse jemi ëngjëj të paqes, por sepse jemi të bindur se Europa është e ardhmja jonë. E them këtë për vendin tim dhe njëkohësisht për gjithë të tjerët. Nuk shoh dhe nuk besoj që ka ndonjë projekt tjetër që njerëzimi ka krijuar që mund të krahasohet me projektin e madh europian.
Kreu i qeverisë ndodhet në Francë bashkë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati për të bërë lobimet e fundit në vendet skeptike të BE-së, kur na ndajnë vetëm pak ditë nga vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, më 27 Qershor për të dhënë ose jo statusin….por shancet janë pozitive, kur Komisioni Europian i ka sugjeruar vendeve anëtare statusin pa kushte për Shqipërinë.
Intervista e plotë Kryeministrit Edi Rama për emisionin “Le Grand Soir 3”
Edi Rama, faleminderit që jeni me ne! I keni ndjekur me vëmendje imagjinoj zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe keni parë që ka shumë zhgënjim kundrejt Europës dhe institucioneve Europiane ndërsa ju doni t’i bashkoheni klubit, çfarë ju tërheq në Europë ?
Ne bëjmë pjesë në europianët që nuk janë akoma të zhgënjyer nga Europa. Ne bëjmë pjesë në europianët që vazhdojnë ende të besojnë endrrën e Shumanit dhe të gjithë baballarëve themelues të Europës.
Do t’ju them diçka; ka njëqind vjet që kur Lufta e Parë Botërore filloi dhe pas saj cikli i luftërave, por është hera e parë që kemi paqen mes vetes ne në Ballkan, jo sepse jemi ëngjëj të paqes, por sepse jemi të bindur se Europa është e ardhmja jonë. E them këtë për vendin tim dhe njëkohësisht për gjithë të tjerët. Nuk shoh dhe nuk besoj që ka ndonjë projekt tjetër që njerëzimi ka krijuar që mund të krahasohet me projektin e madh europian.
Ta theksojmë për shikuesit se fakti që ju flisni kaq mirë frëngjisht, e pamë edhe më parë që gjuha franceze mësohet në vendin tuaj, po rasti juaj është se ju keni jetuar disa vite në Francë.
Shqipëria është pjesë e frankofonisë dhe është një vend ku mësohet frëngjishtja, ku flasim shumë gjuhë të huaja. Është vendi me moshën më të re në Europë dhe po ashtu vendi që ka dalë nga një diktaturë shumë e egër. Gjithashtu, është vendi ku sipas statistikave jemi më të hapurit ndaj Europës.
Cdo të thonit për ata që shohin sot këtë intervistë dhe thonë, edhe një vend tjetër, edhe një vend tjetër më i varfër se ne. Ju bezdis të ushqeni euroskepticizmin, si do reagonit ndaj tyre?
Unë besoj që euroskepticizmi është ushqyer nga frikëra që nuk bazohen në realitetin e Europës dhe më vjen keq që euroskepticizmi vazhdon të rritet, sepse nuk shoh ndonjë projekt tjetër më të mundshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, si Europa.
Ju nuk mendoni se duhet të bëhet një pauzë, për hyrjet e reja ?
Po ju them ju francezëve diçka shumë të thjeshtë; Nuk duhet të shqetësohemi, sepse ne do të marrim statusin e vendit kandidat dhe nuk do të jemi menjëherë anëtarë nesër.
Statusi i kandidatit është hapi i parë, pastaj janë negociatat që marrin rreth dhjetë vjet, ndaj nuk duhet të shqetësohemi. Por nga ana tjetër dua të përfitoj të them që është diçka e çuditshme që Franca, një nga shtyllat themeluese të Europës ndodhet në këtë situatë, mjaft të veçantë, ku të flasësh për Europën nuk është edhe aq e rregullt politikisht dhe është vërtet diçka që të bën të ndihesh keq.
Ju do të takoni nesër François Hollande dhe ndoshta do të flisni për zgjedhjet europiane, por a mendoni se e keni mbështjetjen e tij për statusin e vendit kandidat ?
Besoj që Presidenti francez ka patur një vizion të qartë kur vitin e kaluar ai i mblodhi liderët e vendeve europiane në Bordeaux dhe foli për një të ardhme europiane të vendeve Ballkanike. Dhe besoj gjithashtu se Kancelarja Angela Merkel ka po ashtu një vizion të qartë për të ardhmen e Europës kur ajo u angazhua për të organizuar një Samit me liderët ballkanikë për të parë mundësitë sesi këto vende mund të lidheshin bashkë në një të ardhme të përbashkët.
Faleminderit shumë Zoti Kryeministër !
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)