Statusi, Rama: S’ka bishtnim
nga ai angazhim i dhjetorit

Statusi, Rama: S’ka bishtnim<br />nga ai angazhim i dhjetorit
TIRANE- Kryeministri Edi Rama takime intensive në Mbretërinë e Holandës, një vend skeptik ky që ndikoi në dhjetor në mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Ai ka deklaruar se beson fort se vendet e BE nuk do t’i shmangen angazhimit të dhjetorit për dhënien e statusit për Shqipërinë në qershor. “Ne kemi bindjen që Progres-Raporti do jetë baza e gjykimit të gjithë vendeve anëtare.

Duam të besojmë deri në fund se asnjë nga vendet anëtare nuk do t’i bishtnojë pikërisht atij angazhimi të marrë bashkërisht në dhjetor, se do të duhet një Raport tjetër për të treguar se progresi i madh i vënë re në muajt e parë të qeverisjes është konsoliduar dhe kjo do të mjaftonte që vendet anëtare të shprehen. Të shohim, sepse Europa është gjithmonë e më pak e parashikueshme dhe gjithmonë e më shumë e lidhur në rrugën e të ardhmes së vetë me problemet e të sotmes”, ka deklaruar Rama.

Serinë e takimeve Rama e nisi me ministrin e Punëve të Jashtme, Timmermans. “Me ministrin e Jashtëm holandez Timmermans, që na përgëzoi ngrohtësisht për qeverisjen bindëse të këtyre muajve”, thotë Rama. Më pas, ai i është drejtuar kryeministrisë holandeze ku është pritur nga homologu Mark Rutte. Pala holandeze ka vlerësuar reformat e deritanishme të qeverisë. Qeveria holandeze është shfaqur më optimiste se në dhjetor, por gjithësesi gjërat do varen nga raporti i KE e nga fakti se qeveria do konsultohet me Parlamentin për qëndrimin. Vetë Rama takimin e ka cilësuar si “të zhvilluar për progresin real të Shqipërisë e pse Europës i duhet Ballkani, ashtu siç i duhet Europa Ballkanit”.

Kjo vizitë e kryeministrit zhvillohet vetëm pak javë përpara se Këshilli i Ministrave në qershor të japë verdiktin për statusin. Rama ka zhvilluar takime në Parlamentin holandez me përfaqësues të Dhomës dhe Senatit, ndërsa më vonë mbajtu fjalim në institutin e Hagës për drejtësinë globale. “Takime intensive, bashkëbisedim i hapur, dëshirë nga ana e miqve dhe partnerëve holandezë për të na dëgjuar deri në fund. E mbi të gjitha, sinqerisht, krenari për punën e bërë në gjithë këta muaj, e cila jo vetëm shihet dhe jo vetëm vlerësohet, por përbën një bazë shumë solide për të folur hapur dhe për të kërkuar atë që na takon.

Atë që na takon, që duhet ta kishim marrë që në dhjetor, ka më shumë arsye për ta marrë në qershor, dhe që shpresojmë se me fundin e zgjedhjeve europiane do të jetë më e lehtë për të mos e lënë pre të debateve dhe paragjykimeve të brendshme të disa vendeve anëtare, siç ndodhi në dhjetorin e kaluar dhe siç është fare e qartë, sot e gjithë ditën, për të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe për të gjithë ata që njohin sadopak si funksionon Europa e sotme”, deklaroi kryeministri Rama në fund të takimeve. 


Shkrimi u përditësua në 27 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç