I pyetur nga gazetarët për lajmin e publikuar në media se vendimi i nesërm i ministrave të jashtëm europianë do të jetë një “jo” për Shqipërinë lidhur me statusin e vendit kandidat, Rama theksoi se “Sigurisht që nuk është një lajm i mirë, por nga ana tjetër ajo çka lajmësit do të shprehin si argument për mos marrjen parasysh të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, do duhet lexuar me shumë kujdes, në çdo rresht për të kuptuar se statusi i kandidatit është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të japë prova të prekshme të vullnetit për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë, korrupsionin dhe krimin e organizuar. E sigurisht, Shqipëria, fatkeqësisht, vetëm pak ditë përpara dha një kundërprovë rrëqethëse me rënien në nivelin e Etiopisë dhe Nigerisë në tabelën e Transprancës Ndërkombëtare pranë e pranë me këto dy simbole të korrupsionit".
Duke folur për takimin me Ramush Haradinajn Rama u shpreh se u bisedua për një projekt të përbashkët për të pasur një udhërrëfyes për bashkimin e shqiptarëve nën qiellin e Europës.
“Unë kam ndarë me mikun tonë të çmuar këndvështrimin e Partisë Socialiste lidhur me domosdoshmërinë për të ndërtuar një projekt të përbashkët konkret midis dy shteteve, dy qeverive për të pasur një udhërrëfyes për bashkimin e shqiptarëve nën qiellin e Europës. Biseduam për një sistem të unifikuar arsimor, sigurinë energjetike të shqiptarëve, një ofertë turistike në unifikuar, një projekt të përbashkët zhvillimi duke përfituar nga kapacitete që ka territori shqiptar për një zhvillimi rural të qëndrueshëm, bashkimin doganor mes dy shteteve. Sot kosova ka një protagonist më shumë në përpjekjen e vet”, u shpreh Rama.
Nga ana e tij kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se në bisedë ishte diskutuar për shumë tema të rëndësishme për shqiptarët, si edhe për zhvillimet e fundit në të dyja vendet.
“Është nder për mua të kthehem përsëri në selinë e PS, të takoj kryetarin Edi Rama dhe të bisedojmë shumë tema me interes. Folëm për përmirësimin e jetesës së qytetarëve në Kosovë dhe në Shqipëri", tha Haradinaj.
I pyetur për çmimin që i dha Vlora si qytetar nderi, Haradinaj u shpreh se “E kam përjetuar Shqipërinë në kohën që bëheshim gati për luftën e UÇK-së. Të gjithë kanë dhënë ndihmesë për lirinë e Shqipërisë. Ky ishte një nder i veçantë që më ka bërë Vlora.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)