BRUKSEL - Miratimi i tre ligjeve të mbetura pezull do të hapë dritën jeshile për statusin e vendit kandidat. Është kjo deklarata e drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Saninno, dhënë nga Brukseli në Ministerialin e Nismës Adriatiko-Joniane, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti.

Dy bashkëbiseduesit diskutuan për ecurinë e reformave në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht te rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë, në mënyrë që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat.

Në fjalën e tij, Saninno u shpreh se nevojiten rezultate konkrete dhe të shpejta për zbatimin e rekomandimeve të mbetura.

Saninno shtoi se është bërë shumë progres deri tani në Shqipëri, dhe ky progres nuk duhet çuar dëm.

Ministri Panariti tha se marrja e statusit të vendit kandidat do të qetësonte klimën politike në vend. Ministri Panariti theksoi se forcat politike duhet ta kuptojnë rëndësinë e zgjidhjes së situatës, duke shtuar se shpresonte në një zgjidhje të shpejtë për të mirën e vendit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)