TIRANE - Disa orë pas publikimit të progres raportit ambasadori i BE-së përsërit qëndrimin se me tu përmbushur reforma e gjyqësorit, Administratës Publike e ajo Parlamentare, Shqipërisë do t'i jepet statusi i vendit kandidat.

Në një konferencë të veçantë për shtyp në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian, në orën 19: 00 ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi sqaroi arsyet mbi vendimin që mori KE për t’i propozuar Këshillit Evropian që Shqipërisë t’i jepet statusi me tu plotësuar disa kushte.

Ambasadori Sequi u shpreh se janë siguruar reformat kyçe, por Shqipëria ka ende të tjera për të mbyllur. Këto reforma janë pikërisht edhe kushtet që ka vendosur Komisioni Evropian, si reforma në sistemin gjyqësor, në administratën publike dhe reforma parlamentare.

“Mbi këtë progres Komisioni vendosi që të rekomandojë Këshillit që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat me tu përmbushur reforma e gjyqësorit, Administratës Publike e ajo Parlamentare. Po ashtu duhet angazhim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipërisë do ti duhet të punojë më shumë mbi ato që janë arritur për të bërë më tej edhe ato që duhen realizuar në vazhdim”, theksoi ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi.

Ambasadori theksoi se fokusi i arritjeve që duhet të realizojë Shqipëria është “fuqizimi i pavarësisë dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor, me plotësimin e të drejtave të njeriut si dhe në zgjedhjet e ardhme”.

“E diskutova edhe me presidentin e Republikës se ai është në krye të gjyqësorit. Ky nuk është një koncept për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e zgjerimit, për të gjitha që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së: Duhet të sigurohen që sistemet e tyre gjyqësore të jenë të pavarura llogaridhënëse e të funksionojnë”, u shpreh Sequi.
Gjatë pasdites raporti i progresit i Komisioni Evropian (KE) për Shqipërinë iu dorëzua kryeministrit Sali Berisha, Presidentit Bujar Nishani, ministrit Panariti dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli. Sequi tha se gjatë ditës së nesërme, dokumenti i progres-raportit do t’i dorëzohet edhe kryesocialistit Rama, i cili kthehet në Shqipëri sot pas vizitës së tij në SHBA.
(Gre.M/Shqiptarja.com)