Reperja britanike Stefflon Don është bërë nënë për herë të dytë. Artistja 34-vjeçare ka sjellë në jetë djalin e saj, Don Claes, më 26 prill përmes një lindjeje natyrale. Foshnja peshonte rreth 3.5 kilogramë në momentin e lindjes.
Në një intervistë, këngëtarja e cila është tashmë nënë e djalit 17-vjeçar Jaylen, ka rrëfyer se pas lindjes është përballur me preeklampsi, një komplikacion serioz që lidhet me tensionin e lartë të gjakut dhe që mund të shfaqet edhe pas ardhjes në jetë të foshnjës.
“Një gjë që dua vërtet që nënat e tjera ta dinë është se lindja e fëmijës nuk do të thotë se udhëtimi ka mbaruar”, është shprehur ajo, duke theksuar rëndësinë e kujdesit për shëndetin edhe pas lindjes.
Reperja ka treguar se përjetoi ënjtje të jashtëzakonshme të këmbëve, tension shumë të lartë të gjakut dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa në mushkëri i ishin grumbulluar edhe lëngje.
“Si nëna, ne natyrshëm i vendosim fëmijët tanë në radhë të parë, por shëndeti ynë ka po aq rëndësi. Preeklampsia mund të jetë serioze dhe mund të zhvillohet edhe pasi të keni lindur, për të cilën nuk mendoj se mjaft gra janë të vetëdijshme”, ka deklaruar këngëtarja.
Komente
Komento