Steinmeier: Përmbyllni reformën
në drejtësi, impakt për vendin 

Steinmeier: Përmbyllni reformën<br />në drejtësi, impakt për vendin 
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, i ka kërkuar Shqipërisë të përmbyllë sa më shpejt reformën në drejtësi, jo vetëm për impaktin që ka në procesin integrues të vendit, por dhe mbi zhvillimin ekonomik.  Deklaratat erdhën gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Gjermani. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Gjermani ku është  takuar me Ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Frank- Walter Steinmeier. “Shpreh respekt për gatishmërinë që ekziston në Shqipëri për të tërhequr një ekspertizë sa me të gjerë ndërkombëtare, me qellim që të kryhet një reformë sa më e gjerë e gjyqësorit. Tashmë kjo ka marrë formën e një propozimi të një reforme të balancuar të gjyqësorit dhe tani është momenti që kjo reformë të bëhet realitet.

Ne e mbështesim këtë me mundësitë që kemi dhe dua të shpreh qartësisht se reforma në drejtësi është një gur themel për rrugën drejt BE-së”- tha Steinmeier. Ndërsa shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, teksa ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen shumëplanëshe, përfshirë procesin e dialogut Kosovë-Serbi,  ka theksuar se Shqipëria është fokusuar në ndërtimin e një shteti demokratik. “Do të doja t’ju falënderoja ju dhe Qeverinë gjermane për mbështetjen e pakushtëzuar dhe të pakursyer në procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe në procesin e stabilizimit dhe normalizimit të rajonit tonë.

Është fakt që pavarësisht vështirësive me të cilat përballet kontinenti ynë dhe BE në këto kohë krizash, ne e kemi ndjerë nga afër mbështetjen nëpërmjet iniciativave gjermane, kryesisht me Procesin e Berlinit, si për sa i përket normalizimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, por dhe një ecuri pozitive sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe një ritëm më pozitiv në bashkëpunimin rajonal i demonstruar në Konferencën për Ballkanin Perëndimor në Berlin, në Vjenë dhe së shpejti në Paris. I shpreh mirënjohjen serish në emër të popullit shqiptar për mbështetjen, për ekspertizën, për kontributin e taksapaguesve gjermanë në proceset e shtet-ndërtimit demokratik, për ekspertizën që kanë dhënë në reformën në drejtësi që shpresojmë të jetë në fazën e saj finale përpara se të bëhet realitet dhe për asistencën e vyer të agjencive gjermane që kanë dhënë gjatë kësaj kohe në Shqipëri”-tha Bushati.



Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane 'Merkur.de': Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025

Media gjermane 'Merkur.de': Alpet Shqiptare në krye të destinacioneve më interesante për t’u vizituar në 2025