Stërvitja Defender 2023/ Begaj: Shqipëria e palëkundër si faktor stabiliteti dhe sigurie! Krenar që vij prej radhëve të Ushtrisë

 

Presidenti Begaj ka përshëndetur stërvitjen Defender 2023. Kreu i shtetit e cilësoi si një sfidë të cilën Shqipëria ja ka dalë të triumfojë. Më tej ai inkurajoi të rinjtë të bëhen pjesë e mbrojtjes dhe sigruisë së vendit të tyre,

“Dy vite me parë, kur nisëm punën për stërvitjen Defender Europe 2021, e dinim se sfida ishte tepër e madhe për kapacitetet e vendit tonë. E megjithatë ne arritëm të tregojmë se dimë të ngrihemi me përgjegjshmëri në lartësinë e detyrës dhe se Shqipëria jonë e vogël, në fakt, rreh më shumë se pesha e saj. I dashur Gjeneral Wickmann, Më vjen shumë mirë, që mblidhemi përsëri në Shqipëri, për t’ju konfirmuar edhe njëherë mbështetjen tonë të palëkundur dhe gatishmërinë e vendit tonë për të intensifikuar gjithmonë e më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Defender Europe lindi si një stërvitje për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës në rast konflikti a kërcënimi. Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse. Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Prandaj dhe rëndësia e kësaj stërvitje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme.

Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë. Padyshim meritat për këtë i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë. Ju jeni një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe mirënjohja për angazhimin dhe profesionalizmin tuaj nuk mund të shprehet mjaftueshëm. Unë ndihem krenar, që kam qenë njëri prej jush; e në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.

Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit; është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrësesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale. Ju faleminderit të gjithëve për përkushtimin. Kur të rishihemi përsëri pas dy vitesh për Defender Europe 2025, uroj vetëm që situata globale e sigurisë të jetë më e qetë, sepse nuk kam pikë dyshimi, që Shqipëria do vazhdojë gjithnjë të mbrojë vlerat e paqes dhe unitetit, duke qëndruar gjithnjë krah-për-krah Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë të NATO-s. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe miqtë tanë!’- tha Begaj.


Lajmi kryesor:

Nis stërvitja ‘Defender Europe’, 24 mijë trupa të NATO ‘zbarkojnë’ në Shqipëri! Rama: Jemi më lart se kurrë në respektin ndërkombëtar! SHBA: Tirana, aleatja jonë më e mirë


G.MO/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet