Ne prag të stinës së nxehtë, AKMC ka kërkuar nga bashkitë të marrin masa për menaxhimin e situatave të cilat sipas kreut Haki Çako, priten të vështira, bazuar në parashikimet për një verë me temperatura ekstreme. Nga Fieri ku përfaqësuesit vendorë raportuan për masat e administrimit të zjarreve, Çako sqaroi se strukturat në terren janë përgatitur për të punuar me të gjitha kapacitetet dhe se flotës ajrore të mbrojtjes civile do t’i shtohen disa avionë "Air Tractor", por kjo sipas tij nuk mjafton.

 "Nuk mund të shpresojmë se zjarret do t’i fikim vetëm me avionë, duhet të angazhohemi në terren me të gjitha kapacitetet", tha Çako.

Stina e zjarreve, mblodhi vendoret ne nivel qarku ne Fier, edhe për të diskutuar si masë parandaluese asfaltimin e  rrugëve rurale.

Me qindra hektarë pyje të djegura dhe mijëra rrënjë dru frutorë, qarku i Fierit rezulton me risk të lartë ndaj fatkeqësive natyrore edhe këtë vit. Hapja e rrugëve malore dhe vendosja e hidrantëve në zonat pyjore mbeten me rëndësi për menaxhimin e zjarreve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatave.

“Duhet të krijohet akses për hidrantë, vendburime uji, por edhe duke paralajmëruar e sensibilizuar komunitetin që në pjesën më të madhe, papërgjegjshmëria për të djegur mbeturinat bujqësore shndërrohet në një faktor të jashtëzakonshëm në zjarret masivë”, tha Çako.

Mungesa e rrugëve të tilla të quajtura edhe rrugë malore, ishte ndër faktorët që përkeqësuan situatën e zjarreve në zonat e mbrojtura të Darëzezës dhe Pishë-Poros dy vjet më parë me një bilanc prej 700 hektarësh pyll të djegur.

Në Fier gjatë vitit 2025, bilanci i dëmeve nga zjarret ishte më i ulët se dy vjet më parë, megjithatë me 300 hektarë pyll të djegur dhe 3297 rrënjë dru frutorë vlerësohet një situatë e rëndë.

Bashkitë më të prekura gjatë 2025-ës janë:

Fieri me 85 raste zjarri në pyje dhe objekte
Patosi me 72 raste zjarri
Roskoveci me 57 raste zjarri

Mallakastra me vetëm 17 raste, por me sipërfaqjen më të madhe të pyjeve të djegur prej 224 ha.

Në ekonomitë bujqësore dëmet më të shumta në dru frutorë si ullishta dhe vreshtari e pësuan:

Fieri me 1145 rrënjë të djegura
Patosi me 670 rrënjë të djegura
Lushnja me 640 rrënjë drurësh frutorë të djegur