Eurodeputeti Ivo Vajgël në një deklaratë të shkurtër për mediat theksoi se takimi ka qenë i vlefshëm dhe se sipas tij, të dyja palët do të dalin me një deklaratë të përbashkët për përmbajtjen e bisedimeve përsa i përket gjetjes së një një zgjidhjeje të krizës politike në Maqedoni.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura ndërsa pjesë e delegacioneve ishin edhe zyrtarë të lartë të të dyja partive politike. Në radhët e palës së partisë në pushtet ishin edhe ministri i jashtëm, Nikola Popovski, por edhe shefi i shkarkuar i shërbimit sekret Saso Mijalkov.
Deputetët evropianë dhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn përshëndetën angazhimin e partive për të bashkëpunuar në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje në interes të të gjithë qytetarëve të vendit dhe zgjidhjen e sfidave për kapërcimin e krizës në bazë të standarteve evropiane.
Partitë e konfirmuan vendosmërinë e tyre për integrimin në BE dhe parimet demokratike dhe vendosën se prioritet duhet të jenë interesat e vendit.
"Të gjitha palët ranë dakord për vazhdimin e bisedimeve", sipas një komunikate të përbashkët te tre eurodeputetëve dhe komisionerit evropian për Zgjerimin Johannes Hahn./
/atsh/