Ankesa për procedura penale të parregullta kundër pjesëtarëve të pakicës greke në Shqipëri është hedhur të mërkurën poshtë si e papranueshme nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
 
Çështja

Një grup qytetarësh shqiptarë që bëjnë pjesë në pakicën grekofolëse ka paraqitur ankesë lidhur me dënimin në vitin 2009 për nxitje të urrejtjes kombëtare dhe poshtërimit të Republikës dhe simboleve të saj. Çështja është quajtur “Beleri e të tjerë kundër Shqipërisë”, sepse personi kryesor që ka ngritur padinë është Alfred Beleri, ish-kandidati i PBDNJ për kryetar Bashkie të Himarës, në zgjedhjet e fundit lokale.

Gjykata me shumicë votash ka vendosur se ankesa është e papranueshme. Vendimi është përfundimtar. Në mënyrë të veçantë, Gjykata arsyetoi se ankuesit nuk kishin apeluar në gjykatat e vendit për shkelje të Nenit 10 – liria e të shprehurit. Ata nuk kanë pretenduar, as në tërësi, se me dënimet e dhëna u është shkelur liria e shprehjes.