TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, njëherësh edhe sekretari i grupit parlamentarë të PD-së, Gent Strazimiri i bëri dje presion prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla duke e akuzuar në mënyrë indirekte se po vepron me dy standarde në hetimin e krimit. Duke marrë shkasë nga arrestimet dhe paditë e fundit të bëra për personat që janë të Partisë Demokratike, Strazimiri theksoi se prokuroria po vepron me dy standarde, ku demokratët po i arreston ndërsa socialistët i heton në gjendje të lirë. Edhe pse e ka votuar po vetë në Parlament, demokrati ngriti një sërë pikëpyetjesh për punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Ai shtoi më tej se Rama për Virin e Ri sajoi një spot publicitar, për ti dhënë para një televizioni pranë tij, por në rastin e Arben Imamit që është i ngjashëm, u quajt shpërdorim detyre.

Strazimiri ka bërë tre paralelizma, me ndëshkimin e votimit familjar në Ruzhdije dhe me mos dënimin e blerjes së votave në Korçë. Sipas tij, u tolerua Shpëtim Gjika në Vlorë për falsifikimin e lejeve të ndërtimit, kurse Xhelal Mziu u arrestua se anuloi një tender. Në një postim në faqen e tij në “facebook”, deputeti demokratik thekson: “Të lejosh votim familjar si në Ruzhdie në 2009 dënohesh me burg, ndërsa të belsh votën me 20 mijë lekë si në Korçë në 2013 gradohesh “Rilindas”. Të falsifikosh lejet e ndërtimit si Shpëtim Gjika “qortohesh rëndë”, ndërsa të anulosh një tender si Xhelal Mziu përfundon në burg.

Të promovosh vlerat e Shqipërisë në NATO si Arben Imami, është shpërdorim detyre dhe ndëshkohesh nga Kryeministri, ndërsa të sajosh spot televiziv urimi për tu dhënë ca para xhepi lëpirësave mediatik quhesh njeriu i vitit. Ky është bilanci 100 ditor...Quo Vadis (ku po shokon) Prokuroria e Përgjithshme?”. Kësisoj sekretari i grupit të PD-së la lëshuar një sër akuzash të rënda ndaj Adriatik Llallës dhe ndaj institucionit të Prokurorisë.


Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)