TIRANË – Deputeti demokrat Gent Strazimiri e ka konsideruar, provokim për shqiptarët, rikthimin e simboleve të diktaturës, siç u pa në Përmet dhe bëri thirrje pr të rrëzuar Enverin dhe “Edverin”. Sipas Strazimit, ky është krim ndaj historisë dhe varreve pa eshtra.

Strazimi doli sot para mediave nga selia e PD-së i nxitur nga pamjet e festimit të 70-vjetorit të Kongresit në qytetin e Përmetit, ku veteranë të LANÇ-it dhe dhe familjarë të tyre, dolën në kujtim të asaj dite edhe me pfotografi të Enver Hoxhës.

Sipas tij, "për cilindo që dyshonte apo që ende i pëlqen të mos besojë se “Rilindja” e 23 qershorit ishte thjesht rikthim në të kaluarën më të errët të Shqipërisë, pas ngjarjeve të turpshme të ditës së djeshme në Përmet, kjo është krejtësisht e pamundur.

Portreti i Enver Hoxhës i shfaqur rëndom “rastësisht” dhe “pa dijeninë e shokëve të udhëheqjes” këto kohët e fundit, dje ishte gjëja me e parëndësishme. Dje, është përkujtuar dita kur Enver Hoxha vendosi zyrtarisht në letër, hapat që duheshin ndjekur për të realizuar kalvarin 46 vjeçar të shqiptarëve, me të rendin dhe me të pashpirtin në vendet e lindjes.

Mbledhja e bandës së kuqe në Përmet në 24 maj të vitit ’44, nuk kishte lidhje aspak me luftën që ende vazhdonte e përgjakshme;  nuk kishte asnjë lidhje me “ant-fashizmin”; nuk vendosi për asgjë “nacionale” e aq më pak “çlirimtare”,"- tha ai, duke e lidhur me realitetin, por " banda në Përmet, vendosi të fillojë e të mbaje lart “Luftën e klasave”, dmth të shfarosë çdo gjë të mirë që geni i shqiptarit kishte mundur të ndërtonte në shekuj, duke nisur nga firmatarët e “Aktit të pavarësisë” për të përfunduar të shqiptari me modest në cepin më të largët të vendit; të izolojë hermetikisht vendin nga çdo faktor i jashtëm pozitiv, iluminist e demokratik, duke e kthyer shoqërinë shqiptare në kohën e “dinozaurve”, në parametrat çnjerëzore të një shoqërie paranjerëzore."

Deputeti i PD-së theksoi se "më 24 maj të viti ’44, në Përmet, fashizmi dhe zgjedha e urryer e kemishëzinjve thjesht ndërroi këmishe: u vesh me kemishë të kuqe. 70 vjet pas kesaj ngjarjeje të zezë në historinë e Shqipërisë, të provokosh shqiptarët e gjallë të vdekur, viktima të “fashizmit të kuq”, me simbolet, fjalët dhe konceptet perverse të Enver Hoxhës, është sakrilegj, është dhunimi më i tmerrshëm i mijëra varreve ende pa eshtra, është krim ndaj historisë dhe së ardhmes njekohësisht.  Ka ardhur dita të ripërsërisim vetveten! Përgatituni të ngrihemi sërish të rirrëzojmë Enverin dhe Edverin." - përfundoi ai.

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)