Një 66-vjeçar, pronari i një hoteli në Vaqarr është arrestuar nga blutë e Tiranës pasi dyshohet se kishte strehuar 7 emigrantë të paligjshëm nga Sudani.

Sipas Policisë, pronari i hotelit u kishte siguruar taksi dhe i kishte nisur në drejtim të Koplikut, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit, me destinacion shtete të BE-së.

Pas njoftimit Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë u vunë në ndjekje të 2  taksive duke ndaluar emigrantët.

Dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë të armës së gjahut, 7 celularë, 2 automjete (taksi) dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit u sekuestruan si provë materiale.

"Shërbimet e Seksionit të Hetimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Stafeta”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”, shtetasi P. S., 66 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se në hotelin në pronësi të tij, në Vaqarr, Tiranë, ky shtetas kishte strehuar disa shtetas të huaj, të cilëve iu kishte siguruar mjete transporti (taksi) dhe i kishte nisur në drejtim të Koplikut, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit, me destinacion shtete të BE-së.

Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë janë vënë në ndjekje të 2 automjeteve (taksi), dhe kanë koordinuar punën dhe bashkëpunuar me shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër. Si rezultat, janë ndaluar te dyja automjetet në të cilat udhëtonin 7 shtetas nga Sudani, të cilët u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për taksistin, shtetasin P. Gj., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë të armës së gjahut, 7 celularë, 2 automjete (taksi) dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë