Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela ka kërkuar nga gjykata miratimin e mase kohore për ndalimin e punimeve për ndërtimin e kishës  në fshatin Oktisi të kësaj komune, ku shpërthyen tensione midis komunitetit fetar ortodoks maqedonas dhe komunitetit mysliman të këtij fshati, pas nisjes së punimeve për ndërtimin e një kishe në këtë fshat.
 
Banorët ortodoks të dielën ishin ndaluar nga bashkëfshatarët e tyre mysliman për të vendosur gurthemelin për ndërtimin e kishës në fshat. Policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes për të ndaluar shpërthimin e dhunës dhe incidenteve.
 
Më pas situata u qetësua me ndërhyrjen e kryetarit të komunës, Ziadin Sela dhe krerëve fetar, të cilët ishin dakorduar për të qetësuar situatën dhe tejkalimin e problemit. "Po punoj për qetësimin e tensioneve. Nga gjykata kam kërkuar masën e ndalesës derisa të zgjidhet situata dhe të qetësohen tensionet", theksoi kryetari i komunës, Ziadin Sela. 
 
Ai ka informuar se të premten do të mbahet një takim midis palëve të fshatit për të gjetur marrëveshje.
 
Redaksia online
(ac/sg/shqiptarja.com/INA)