TIRANE - Ulet numri i gjimnazistëve kryeqytetas të cilët fitojnë të drejtën për të studiuar në Universitetin e Tiranës. Përqindja më e madhe e atyre që vazhdojnë të ndjekin degë të ndryshme të Universitetit shtetëror të Tiranës është e studentëve nga rrethet. Këtë e fakt e konfirmon edhe dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja pranë këtij universiteti, Klodeta Dibra. Ajo vlerëson se është e nevojshme të bëhet edhe një studim i detajuar në lidhje më këtë problematike.

“Ky është një problem që po e hasim prej vitesh, ku vëmë re se në të gjitha fakultetet e këtij universiteti ka gjithnjë e më shumë studentë që vijnë nga rrethet përfshirë ato të largëta apo zonat malore. Unë jam skeptike që gjimnazet e rretheve të jenë më cilësore se të kryeqytetit. Këtu niveli i mësimdhënies është më i lartë, nuk dua të aludoj që në gjimnazet e rretheve nuk ka kontroll gjatë maturës shtetërore. Duhet bërë një studim i detajuar për këtë problematike pasi po dëmtohet rëndë sistemi arsimor. Ato gjimnaze që dyshohet se kanë kryer shkelje të pezullohen”, -theksoi Klodeta Dibra.

Dekania flet me shqetësim edhe për nivelin e studenteve të cilët vijnë nga rrethet duke konstatuar se ata në shumë raste nuk i përgjigjen degës për të cilën studiojnë.

“Kemi konstatuar raste që shumë nxënës të cilët e kanë pasur mesataren e dobët gjatë tre viteve të gjimnazit, në provimet e maturës kanë marrë nota pozitive dhe kjo ka ndodhur në masë me studentët e rretheve. Ne kemi studentë të nivelit shumë të dobët dhe kjo është e papranueshme”, -u shpreh dekania.

Sistemi meritë– preferencë që aplikohet për të fituar të drejtën e studimit për në shkollat e larta siç duket po penalizon gjimnazistët kryeqytetas. Të privuar nga e drejta për të studiuar në degën e preferuar të Universitetit të Tiranës ata detyrohen të zgjedhin shkollat e larta private.
(eb/Gre.M/Shqiptarja.com)