TIRANË, 19 Qershor/ATSH/-Studentët e Universiteteve të Pavarura mbështesin reformimin e arsimit të lartë në Shqipëri bazuar mbi parimin e mundësive të barabarta dhe vendosjes së konkurrencës mes institucioneve dhe individëve.
Kjo u bë e ditur gjatë një takimi të organizuar sot në Tiranë, gjatë së cilës u shpall edhe themelimi i Këshillit Studentor i  Universiteteve të Pavarura, me qëllim mbrojtjen e interesave të studentëve, organizim i përbashkët i konferencave shkencore dhe leksioneve të hapura dhe aktiviteteve kulturore e sportive.
Duke qenë koherent me qëllimet e tij, ky këshill në kuadër të diskutimeve për reformën në arsimin e lartë del me një qëndrim të qartë dhe të përbashkët për atë se çfarë u intereson studentëve.
Lidhur me reformën në arsim, studentët kërkojnë të bëhet akreditimi dhe rankimi i të githa universiteteve pa asnjë përjashtim, duke bërë publike cilësinë e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe infrastrukturës për secilin institucion të arsimit të lartë; nxitjen e mjedisit konkurrues mes institucioneve të arsimit të lartë, pedagogëve dhe studentëve, pasi vetëm konkurrenca do ti japë këtij sektori cilësinë e munguar.
Një tjetër kërkesë e studentëve është edhe aksesi në arsimin e lartë duhet të jetë një e drejtë për të gjithë dhe shteti duhet të përkrahë vetëm ata që kanë nevojë dhe që e meritojnë mbështetjen financiare nga taksapaguesit shqiptarë. Është diçka absurde që paratë publike shpenzohen thuajse njëlloj për të gjithë megjithëse jo të gjitha universitetet shtetërore përmbushin kushtet bazike të zhvillimit të proceseve mësimore dhe shkencore. Vendosja e kompetivitetit do t'i nxiste universitetet të rrisnin tempin e punës dhe të ndryshojnë thelbësisht konceptin mbi të cilin funksionojnë./a.gegvataj/