E hëna e javës së dytë e bojkotiti nga studentët e Mjekësisë nisi më bllokimin e hyrjes së fakultetet.

Një vit në Universitetin e Mjekësisë, për studentin që do të vendosë të largohet nga Shqipëria, sipas ligjit të ri, miratuar në korrik, kushton 6.8 milion lekë të vjetra në vit. Por disa prej tyre nuk janë gati të paguajnë ndaj vijojnë bojkotin.

Nga Godina në QSUT aty ku zhvillohet mësim, studentët marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Ata kanë kërkesë të parë, shfuqizimin e ligjit që i detyron të punojnë pas studimeve 2 deri 5 vite në Shqipëri.

Një përballje dhe diskutim e duan edhe me Ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu. Në hyrje të godinës vendosën një tufë lule, duke shpallur kështu simbolikisht vdekjen e saj për moseragimin.

Në shenjë proteste, ata dogjën para Ministrisë edhe disa euro false sikurse grisën letra ku shkruhej kontratë.

Një tjetër kërkesë e tyre, ishte dorëheqja e zv.ministres së Arsimit Albana Tole, e cila në një emision televiziv ka thën që studentët te cilët nuk bien dakord me kushtet e kontratës të ndërpresin studimet, t’i lenë përgjysmë ato.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:58
Studentët e Mjekësisë në protestë, letër Ministres së Arsimit: Kërkojmë përballje live me Manastirliun për ligjin e miratuar

Studentët e Mjekësisë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit ku po protestojnë kundër ligjit që i detyron që pas studimeve të punojnë për 5 vite në Shqipëri.

Në thirrjet e tyre por edhe përmes një letre drejtuar Ministres së Arsimit, studënttë kanë shtruar dy kërkesat e tyre.

“Ne studentët e Mjekësisë kërkojmë një përgjigje për shqetësimet e ngritura sot në protestë.

1.Kërkojmë dorëheqjen e zv/ministres Albana Tale

2.Përballje me ministren live, për ligjin e miratuar, znj.Ogerta Manastirliu", kanë shkruar studentët.  

Ora 11:48
VIDEOLAJM/ Studentët e Mjekësisë në protestë, djegin ‘eurot’ para Ministrisë së Arsimit

Studentët e Mjekësisë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit ku po protestojnë, ndërsa kërkojnë edhe një takim me ministren Ogerta Manastirliu.

Në shenjë proteste, ata kanë djegur para ministrisë edhe disa euro false, për të kundërshtuar ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri, ose të paguajnë tarifën e plotë të studimeve, e cila ende nuk është bërë publike.

Ora 11:34
Studentja e Mjekësisë për Report Tv: Nuk tërhiqemi pa na u plotësuar kërkesat

 

Një studente e vitit të parë të Universitetit të Mjekësisë ka folur për Report Tv. Nga protesta, ku bashkë me bashkëmoshatarët e tjerë ishte ulur këmbëkryq para Ministrisë së Arsimit studentja thotë për gazetaren Enxhi Musaj se bojkoti do të vazhdojë deri sa t’iu plotësohen kërkesat.

Ajo thotë se ende nuk i është dhënë asnjë kontratë për të firmosur, pro vetëm një draft ku ka deklaruar se është studente e Universitetit të Mjekësisë.

“Nuk më është dhënë asnjë kontratë as draft, thjesht kam firmosur një deklaratë që jam në mjekësinë e përgjithshme. Edhe çmimi nuk është vendosur, njëherë thuhet 6 mln, njëherë 5.8. Është një situatë konfuze, është viti i parë që e bëj. Se kam provuar asnjëherë një ndjesi të tillë, sheh që bëhen bojkote, protesta, ligje të pakuptimta.

Java e parë ka shkuar normalisht, përveç të premtes që nuk erdha dot në protestë. Do iu bashkohem edhe ditëve të tjera protestës derisa të na plotësohen kushtet që kemi vendosur. Nuk bie dakord me mënyrën se si e kanë vendosur këtë ligj, nuk mund të nisësh një vit universitar dhe më pas në mes të vitet iu thonë studentëve ka ndryshuar kontrata. Mënyrë që kanë vendosur 5 vite me detyrim është e kotë, ti si drejt s’ke të drejtë të vendosësh ligje që t’i do të rrish me detyrim. Kur të dalë një ligj dhe të më tregojë sa është pagesa atëherë do vendos se çfarë do bëj”, tha studentja për Report Tv.

Ora 10:58
‘Shihemi në gjyq’, studentët e Mjekësisë protestë para Ministrisë Arsimit

Studentët e Mjekësisë kanë vijuar me protestën. Ata kanë marshuar nga godina e Universitetit të Mjekësisë deri tek Ministria e Arsimit që ndodhet në rrugën e ‘Durrësit’.

Me pankarta në duar ‘Shihemi në gjyq’ studentët kundërshtojnë ligjin që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.

"I kërkojmë ministres të ketë guximin të përballet me studentët.

Ne studentët e mjekësisë nuk jemi qengja që të keni të drejtën të na flijoni. S’ua ka dhënë të drejtën as parlamenti e as zoti", thonë ata.

Ora 10:36
Studentët e Mjekësisë në protestë, bllokojnë kryqëzimin tek 9-katëshet në Tiranë

 

Studentët e Mjekësisë po vijojnë me protestën. Ata fillimisht bllokuan hyrjen e godinës ku zhvillohet mësimi, ndërsa tashmë janë nisur drejt Ministrisë së Arsimit. Ata janë ulur këmbëkryq në tokë dhe kanë bllokuar kryqëzimin në zonën e njohur edhe si 9-katëshet në Tiranë.

"Ne studimet nuk i lëmë, por dorëheqja duhet dhënë", duke kërkuar kështu dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit Albana Tole.

"S'ka më heshtje, s'ka më pritje, ne studemtët duam zgjidhje", thonë ata. 

"Mjekësia bojkoton, mjekësia proteston", thotë ata.