Ministria e Arsimit ka reaguar lidhur me protestën e studentëve sot në Tiranë për tarifat e larta, duke sqaruar se nuk janë rritur tarifat të paktën katër vitet e fundit. MAS deklaron se në kuadër të autonomisë universitare këto tarifa nuk vendosen më nga qeveria, por nga vetë universitetet. 

Gjithashtu, ministria sqaron studentët se janë universitetet që vendosin mbi politikat që do të ndjekin me studentët ngelës, të cilët nuk paguajnë tarifë të dyfishtë kur ngelin dhe përsërisin vitin. Ndërsa shton se për studentët që nuk marrin një provim disa herë vendoset një tarifë minimaliste, që e vendos sërish universiteti. 

tarifa ne universitete

Reagimi i plotë i ministrisë:
1.       Nuk ka rritje tarifash për nivelin e parë të studimeve, ato janë të njëjta të paktën 4 vitet e fundit për studentët në universitete publike. Por gjithsesi në kuadër të autonomisë universitare këto tarifa nuk vendosën më nga qeveria, por nga vetë universitetet. (Bashkëngjitur tabela e tarifave për universitetin e Tiranës)

2.       Çdo universitet vendos vetë politikat që ndjek për sa i përket studentëve ngelës, të cilët nuk paguajnë tarifë të dyfishtë kur ngelin dhe përsërisin vitin. Por në rast të mos marrjes së një provimi disa herë, gjë e cila shton koston për universitetin, aplikohet një tarifë minimaliste që e vendos universiteti. Studentët që nuk performojnë nuk mund të kthehen në kosto për studentët që dëshirojnë të përfundojnë studimet.

3.       Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare vetëm për nivelin ‘master shkencor’ është vendosur që në vitin 2010. Certifikimi i gjuhës së huaj nga institucionet ndërkombëtare është parë si mundësi që çdo student që diplomohet të jetë konkurrues në tregun e punës jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij, dhe për të pasur aftësi më të mira ndërveprimi.

4.       Vendimmarrja për godinën e fakultetit Gjeologji- Miniera i përket vitit 2014 nga qeveria ku ndër të tjera studentëve u është premtuar se do të jenë pjesë e godinës.

d.c./shqiptarja.com