TIRANE - Për orë të tëra është mbajtur në pyetje. Pas mesnate, policia ka dërguar në spital 22-vjeçarin nga Librazhdi dhe student në Tiranë, ku i janë mjekuar plagët e marra nga goditjet e pengmarrësve, ndërsa është rikthyer në polici, ku janë kërkuar të dhëna të tjera.

Dëshmitë e Fatjon Xhafës, para se ta dërgonin në spital dhe ajo pasi është rikthyer në polici, janë ballafaquar me ato të tre të arrestuarve për pengmarrjen, Martin Kështjari, Artur Kolpepa dhe Bledar Vata dhe është vërtetuar se ishin të njëjta.

Pikërisht për 86 mijë lekët ka ndodhur dhe mbajtja peng. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës kanë pohuar, se pengu Xhafa dhe tre autorët, kanë pasur një punë të përbashkët. Fatjoni i cili jetonte me qira në kryeqytet, ka qëndruar tek tre të rinjtë.

Sipas dëshmive të siguara nga policia, tre të rinjtë e kanë mbajtur me ushqime për një javë Fatjonin pasi ky i fundit nuk kishte pasur lekë.

Në fund të bashkëpunimit, tre të rinjtë, Martin Kështjari, Bledar Vata dhe Artur Kolpepa (ky i fundit, pronari i lokalit ku u mbajt peng) i kanë bërë llogaritë se sa u detyrohej për ushqimin.

“860 mijë lekë (të vjetra) duhet të na japësh për ditët që të kemi mbajtur me ushqime, pije dhe kafe”, mësohet t’i kenë thënë të rinjtë studentit 22-vjeçar.

Por, kjo shumë, të cilën ai s'kishte ta paguante, i është dukur shumë e lartë. Por, tre pengmarrësit kanë këmbëngulur në të tyren, duke e mbajtur dhe peng, deri sa babai i tij të sillte lekët nga Librazhdi. Pasi policia ka regjistruar dëshmitë, prokuroria ka ngritur akuzat ndaj tre pengmarrësve, të cilët sot pritet të dalin në gjykatë për masë sigurie.

Studenti i liruar bashkë me të atin është shoqëruar me makinë policie deri në Librazhd.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.03.2013

Redaksi Online
(sg/gs/shqiptarja.com)