220 studentë nga e gjithë Italia të cilët janë caktuar të ndjekin studimet e Mjekësisë në Tiranë, në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” pavarësisht se aplikimi i tyre ishte bërë në sistemin italian të pranimeve, janë në një garë me kohën.
Ata e kanë kundërshtuar vendimin duke bërë një ankim kolektiv që po shqyrtohet nga Gjykata Administrative Rajonale e Lacios.
Mes studentëve të përfshirë janë edhe mbi 30 të rinj nga Campania. I tillë është rasti i një studenti, nëna e të cilit u identifikua në mediat italiane si Anna C. e cila shpjegon të gjithë problemin.
“Në listë ishte edhe ‘Università di Roma Tor Vergata’, ndërsa me shkrim shumë të vogël ishte shtuar ‘Kampusi i Tiranës’. Ne menduam se mësimi do të zhvillohej gjithsesi në Romë dhe kështu e shënuam”, shpjegon ajo.
Sipas saj, pavarësisht se i biri ka marrë më shumë pikë se studentë të tjerë të pranuar në universitete publike italiane, ai është caktuar, së bashku me 219 të tjerë, për të ndjekur studimet në Shqipëri. Një tjetër element i kundërshtuar lidhet me kriteret e pranimit. Sipas Anës., gjatë përgatitjes së ankimit është zbuluar se për ndjekjen e kursit në Tiranë merren parasysh mesataret e shkollës së mesme dhe jo rezultatet e tre provimeve të semestrit filtrues për Mjekësinë, siç ndodh në Itali.
Sipas planit të studimit, mësimi në Tiranë do të zhvillohet me pedagogë të Universitetit të Tor Vergatës në Romë , të cilët do të udhëtojnë një javë në muaj në Shqipëri. Studentët që kanë bërë ankimimin ngrenë shqetësime për vështirësitë logjistike, kostot shtesë të jetesës dhe për tarifat e studimit, të cilat fillimisht ishin komunikuar si më të larta se ato në Itali.
Afati për nisjen e vitit akademik është 31 janari. Studentët që zgjedhin të tërhiqen nga ky përcaktim rrezikojnë të humbasin një vit akademik, pasi në kushtet e pasigurisë nuk mund të regjistrohen në fakultete të tjera.
Universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë” është një institucion privat shqiptar, i themeluar në vitin 2004, me katër fakultete. Në vitet e fundit, ai është konsideruar si një alternativë për studentët italianë që nuk arrijnë të pranohen në Fakultetin e Mjekësisë në Itali, pasi pranimi i tyre bazohet në mesataren e shkollës së mesme dhe jo në testet e detyrueshme të pranimit.
Institucioni ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me disa universitete italiane. Marrëveshja e parë ka qenë pikërisht me Tor Vergata për Mjekësinë dhe Kirurgjinë, e ndjekur nga bashkëpunime me universitete në Bari, Milano, Bologna, Palermo dhe Firence. Për Mjekësinë, kampusi i Tiranës funksionon si një degë e akredituar jashtë Italisë.
Ministrja italiane e Universitetit dhe Kërkimit, Anna Maria Bernini, ka ndërhyrë për të sqaruar se tarifat e studimit në Tiranë do të jenë të njëjta me ato të Tor Vergatas. Ky qëndrim është konfirmuar edhe nga rektori i universitetit romak, Nathan Levialdi Ghiron, i cili ka deklaruar se ekziston një marrëveshje për diplomë të përbashkët dhe se kampusi në Tiranë është i akredituar për të pritur 220 studentë.
Megjithatë, ankimet ndaj mënyrës së caktimit mbeten në fuqi. Studentët theksojnë se kriteret e përdorura nuk ndjekin renditjen sipas rezultateve të provimeve të semestrit filtrues për Mjekësinë. Vendimi i Gjykatës Administrative Rajonale të Lacios pritet të jetë përcaktues për zgjidhjen e kësaj situate.
Komente










