Studimi: Dhuna në familje, kërcënim për gratë shqiptaro-amerikane

Studimi: Dhuna në familje, kërcënim për gratë shqiptaro-amerikane

Shkalla e dhunës në familje përbën një kërcënim serioz për jetën e grave shqiptaro-amerikane, njofton një ekip hulumtuesish që për herë të parë realizoi një studim për këtë çështje. Sipas studimit ku morën pjesë 374 gra, 89 për qind janë abuzuar në marrëdhëniet e tyre. Sipas autorëve të studimit, gjetjet që publikohen në muajin e ndërgjegjësimit ndaj dhunës në familje, janë shqetësuese sepse një numër i madh grash, 81 për qind, raportojnë se vuajnë nga abuzimi emocional.

Ndonëse kanë kaluar vite që kur shqiptaro-amerikania me origjinë nga Mali i Zi, Suada Demiri i dha fund martesës me një partner që e abuzonte, ajo thotë se ende vazhdon të vuajë traumën që i shkaktoi kjo marrëdhënie 8 vjeçare.

“Abuzimi nisi në fillim të lidhjes. Filloi kur u fejova. Edhe pse kanë kaluar 10 vite nga ajo kohë, trauma ende ekziston. Ai ishte shumë kontrollues. Shkoja në shkollë, ai shfaqej aty. Mendoja se pas martesës gjithshka do të rregullohej”, thotë ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Më tej Suada shpjegon se pas martesës situata u përkeqësua më tej.

“Si shqiptare, nëse divorcohesha pas një jave, do të jetoja me turpin e asaj që do të mendonin të tjerët për mua. Prandaj i thoja vetes se nuk mund të divorcohem tani... ndërsa koha kalonte, filloi të përfshihej dhe familja ime. I thirrja duke qarë, më bëri këtë, më bëri atë. Më detyronte të lija punët. Pra mundohej të më kontrollonte mendërisht dhe të më manipulonte financiarisht”, tregon zonja Demiri.

Këto rrethana e nxitën Suadën të punojë shumë për të ardhmen. Ajo përfundoi universitetin dhe sot është grua e pavarur, me një karrierë të suksesshme në sektorin financiar. Veç kësaj ajo angazhohet edhe kundër dhunës në familje.

“Nuk kisha kontroll mbi trupin tim. Ai donte fëmijë, ndërsa unë nuk kishta të drejtë fjale. I kemi dy fëmijë njërin pas tjetrit. Unë shkoja në shkollë. Ai mendonte se do ta lija shkollën, sepse vitin e parë dhe të dytë të studimeve i kalova duke qënë shtatëzënë. Ai mundohej të ma vështirësonte, por nuk doja të dorëzohesha. E dija sa e rëndësishme është për mua, që të edukohesha, sepse e dija, që një ditë, do ta gjeja forcën të largohem”, përfundon ajo.

Shumë histori si kjo janë pjesë e studimit të parë mbi marrëdhëniet e grave shqiptaro-amerikane me partnerët e tyre, të realizuar nga Kolegji për Drejtësi Penale, John Jay.

Nga 374 gra që morën pjesë në këtë studim, 89 për qind e tyre raportojnë se janë abuzuar. 43 për qind raportojnë dhunë fizike, ndërsa 46 për qind dhunë seksuale dhe 9 për qind janë në rrezik për jetën.

“Kemi dëgjuar rrëfime që ishin shumë të rënda, se si gratë janë dhunuar, janë qëlluar, janë kërcënuar me revole ose thikë, se si gratë janë rrahur fizikisht për më shumë se tri vite dhe nuk kanë mundur të ikin, gra që nuk kanë pasur mbështetjen e familjes për t’u larguar dhe gra që nuk kishin mbështetjen e sistemit”, thotë autorja e studimit Anila Duro, profesore në Kolegjin John Jay në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Më vjen shumë keq, që nuk kemi arritur t’i ndihmojmë të gjitha. Siç gjetëm gjatë hulumtimeve, disa ishin raste shumë të rënda, raste urgjente. Njëra ishte rrahur keq nga partneri. Të tjerat ndodhen në marrëdhënie manipuluese dhe kontrolluese, është si të mbash dikë peng në shtëpinë e vet”, thotë hulumtuesja në studim Suada Demiri, aktiviste kundër dhunës në familje.

Sipas studimit, 81 për qind e grave ankohen se partnerët e tyre përpiqen t’i dominojnë përmes dhunës psikologjike, verbale dhe emocionale, që autorja e studimit Anila Duro, e quan kontroll shtypës.

“Për shkak se nuk është fizike, është e vështirë t’u dëshmohet familjeve tona se jemi në një marrëdhënie abuzive. Dhe në shumicën e rasteve, kontrolli shtypës është i padukshëm në sytë e familjeve dhe komuniteteve tona. Është shumë privat, psikologjik dhe i planifikuar mirë. Nëse 81 për qind e grave raportojnë abuzim emocional, ky është kontroll i madh i partnerëve në to”, thotë zonja Duro.

Arjana Elezaj është një prej hulumtuesve të studimit. Ajo thotë se studimi është hapi i parë për t’u ardhur në ndihmë grave të abuzuara të komunitetit shqiptaro-amerikan.

“Në nëntor kemi vendosur të bëjmë një bashkëbisedim me komunitetin dhe të analizojmë dhe diskutojmë se si mund ta adresojmë këtë. Aty janë të ftuar jo vetëm burrat dhe gratë, por edhe fëmijët”.

57 për qind e grave që morën pjesë në studim janë nëna. Aktivistja nga Organizata “Motrat Qiriazi”, shton se është e domosdoshme që ndërsa respektohet e kaluara, të fillojë reformimi i atyre që njihen si norma shoqërore.

“Në qoftëse ne duam të bëjmë ndryshim në shoqëri, ndryshimi fillon nga vetëvetja, ndryshimi fillon nga familja. Nuk flas vetëm për burrat, por edhe ne si nëna duhet t’i edukojmë fëmijët tanë që të vegjël se djemtë dhe vajzat janë të barabartë. Ne duhet t’i edukojmë djemtë jo vetëm me mendimin që djali ka të drejt për diçka, por se është i barabartë ashtu si edhe vajza. Të dy duhet të kontribuojnë në familje, të dy duhet të marrin përgjegjësitë e veta, të dy duhet të edukohen”, thotë Arjana Elezaj, anëtare e organizatës Motrat Qiriazi për Zërin e Amerikës.

Shumica e grave pjesëmarrëse në studim i përkasin grupmoshës nga 18 deri 44 vjeç dhe 78 e tyre janë të arsimuara.

“Sa më e edukuar që je, aq më shumë ke shanse të përjetosh këtë formë të abuzimit dhe kontrollit, sepse burri po humbet kontrollin mbi ty. Ju po bëheni më e lirë dhe më e pavarur. Po luftoni normat tradicionale, po luftoni patriarkalizmin", tha zonja Duro.

Sipas studimit 75 për qind e grave të anketuara, ende nuk kanë arritur të largohen nga partneri abuzues./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë