Studimi/ Inteligjenca Artificiale ndihmon në zbulimin e kancerit të gjirit

Studimi/ Inteligjenca Artificiale ndihmon në zbulimin e kancerit të gjirit

Foto ilustruese

Inteligjenca artificiale mund të përdoret në ekzaminimet e kancerit të gjirit për të përmirësuar diagnozën dhe për të lehtësuar ngarkesën e punës së radiologëve, sipas rezultateve të një prove klinike në Suedi. Por studiuesit thonë se rezultatet paraprake të studimit, të përfunduar në gusht, tregojnë se kjo teknologji nuk është ende gati të zëvendësojë mbikëqyrjen nga radiologët.

Në universitetin e Lundit në Suedi rreth një milionë gra në vit u nënshtrohen ekzaminimit mamografik, thonë drejtuesit e tij. Imazhet me rreze X të gjirit më pas analizohen zakonisht nga dy radiologë për të parë nëse ka shenja të kancerit, një metodë e quajtur “leximi i dyfishtë” që kërkon kohë. Një radiolog mund të analizojë mesatarisht rreth 50 ekzaminime në orë.

Por a mund të ndihmojë teknologjia për të lehtësuar këtë ngarkesë pune? Studiuesit në Suedinë jugore po vlerësojnë efektin e ekzaminimeve të mbështetura nga Inteligjenca Artificiale. Kjo është prova e parë e këtij lloji që krahason dy metodat e diagnostikimit.

“Së pari ne analizojmë ekzaminimet pa përdorur Inteligjencën Artificiale, duke shfrytëzuar avantazhet tona si mundësinë për të parë të gjithë imazhin. Pastaj përdorim pajisjen me Inteligjencë Artificiale dhe më pas mund të analizojmë shenjat në imazh”, thotë Kristina Lang, drejtuese e studimit dhe profesore e radiologjisë në Universitetin e Lundit.

Në provën klinike, e cila përfshiu mbi 80 mijë gra, studiuesit përdorën Inteligjencën Artificiale për të identifikuar ekzaminimet me një "rrezik të lartë" të kancerit të gjirit, të cilat më pas iu nënshtruan leximeve tradicionale të dyfishta nga radiologët.

Rezultatet e provës zbuluan se ekzaminimi i mamografisë nga Inteligjenca Artificiale rezultoi në një shkallë të ngjashme të zbulimit të kancerit me metodën standarde të leximit të dyfishtë nga radiologët. Kjo pothuajse përgjysmoi ngarkesën e punës së mjekëve, leximi i të dhënave në ekran u reduktua me rreth 44 për qind. Lang thotë se ky nivel i kursimit të kohës mund të jetë jetik, veçanërisht në zonat me mungesë personeli.

"Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ka një mungesë të madhe mjekësh. Pra, këto algoritme të analizimit të të dhënave mund të bëjnë një ndryshim vërtet të madh në rajonet, ku nuk ka ekspertë", thotë ajo.

Në Kopenhagë, në Danimarkën fqinje, Inteligjenca Artificiale në ekzaminimet e përditshme të mamografisë është përdorur që nga nëntori i vitit 2021. Rezultatet e studimit aty ishin aq mbresëlënëse, saqë mjekët danezë në maj të vitit 2022, lejuan përdorimin e Inteligjencës Artificiale për leximin e parë të mamografive të pacientëve me "rrezik të ulët", rreth 70 për qind e të gjitha ekzaminimeve, të cilat më pas analizohen nga një radiolog me përvojë.

"Mendoj se është emocionuese sepse kemi mungesë mjekësh në të gjithë vendin, veçanërisht të radiologëve për mamografitë. Tani, ne kemi një mjet të vlefshëm për të lehtësuar punën e tyre", thotë Dr. Ilse Vejborg, e cila mori pjesë në vendimin për të përdorur Inteligjencën Artificiale si një metodë për zbulimin e kancerit të gjirit në Kopenhagë.

Studiuesit suedezë thonë se hapi i tyre i ardhshëm është të mësojnë se cilat lloje kanceri u zbuluan me dhe pa mbështetjen e Inteligjencës Artificiale. 100 mijë gra janë regjistruar tashmë për këtë provë klinike. Duhen studime të mëtejshme përpara se përdorimi i Inteligjencës Artificiale të bëhet i zakonshëm, por për pacientët si 82-vjeçarja Elisabeth Colin, teknologjia rrit shpresat se simptomat e kancerit mund të diktohen në fazat më të hershme.

"Shpresoj që do të jeni në gjendje të diktoni ndryshimet shumë më herët se tani, në mënyrë që njerëzit të mund të ndihmohen në një mënyrë tjetër", thotë ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit në vitin 2020 dhe 685 mijë vdiqën nga kjo sëmundje në mbarë botën./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentat në Vlorë, plagosen me kallashnikov dy persona, transportohen në spital

Atentat në Vlorë, plagosen me kallashnikov dy persona, transportohen në spital