Studimi, Klosi: Suksesi i grave
është pranuar kokulur nga burrat

Studimi, Klosi: Suksesi i grave<br />është pranuar kokulur nga burrat
Është prezantuar sot studimi i përgatitur nga Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor dhe UN Women mbi nivelin e përfaqësimit të grave në borde dhe pozicione drejtuese në kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.

Prezantimi i studimit u bë gjatë një Konference të posaçme, ku morën pjesë ministri i MMSR-së, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Ekonomisë, Adela Karapici, David Saunders, drejtori i UN Women për Shqipërinë, si dhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama në cilësinë e drejtueses së grupit të ekspertëve që kanë kryer studimin.

Në fjalën e tij, ministri Blendi Klosi theksoi se tashmë situata e gruas në përgjithësi dhe sidomos gruas pjesëmarrëse në politikat vendimmarrëse është përmirësuar ndjeshëm, duke iu afruar ndjeshëm raporteve të barabarta me burrat.

klosi

“Nuk përbën më lajm që një zonjë të zgjidhet ministre, nuk përbën më lajm që një zonjë të jetë drejtuese e suksesshme e një biznesi. Nuk përbën më një lajm që drejtuese e një njësie administrative apo bashkie të jetë një zonjë, po ashtu nuk përbën më lajm që të kandidojë një zonjë për kryetare bashkie, të jetë zëvendësministre një zonjë, apo të jetë një drejtore e përgjithshme në një institucion një zonjë tjetër. Prandaj, mendoj që duhet të ndihemi me fat që jemi kaq pranë realizimit të një prej aspiratave për të patur barazi. Në fakt, po të shikojmë shifrat nuk jemi në atë nivelin e ideales, nuk jemi në nivelin e barazisë, por jemi shumë pranë dhe jemi në një avangard të zonjave dhe jemi në një konkurrencë të vazhdueshme dhe që tashmë është pranuar kokulur nga burrat. Dhe këtë, fenomen nuk kemi pse e diskutojmë më si një fenomen model, por e kemi si një diçka që jetojmë çdo ditë”, - tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Më tej, ministri Klosi theksoi se ajo që do të synojë MMSR nëpërmjet veprimeve dhe masave konkrete në strategjinë e re të barazisë gjinore do të jetë rritja e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese e poste të larta nëpër kompani, duke respektuar edhe direktivat në kuadër të integrimit evropian.

“Tashmë nuk ka asnjë koment pse një zonjë bëhet ministre Ekonomie, nuk ka asnjë koment pse ministre Mbrojtje është një grua, nuk ka asnjë koment që 7 ministre janë gra. Pra, për të mos folur për nivelin e lartë, aktivizimin në shoqëri civile, në pedagogji, do doja shumë të përgëzoja të gjitha ato zonja dhe gra të cilat kanë pranuar që në Shqipëri të jetojnë me punë të denjë, të mbajnë ekonominë e familjes së tyre me punë të denjë dhe të na japin një mësim, i cili ka të bëjë me atë se një shoqëri e denjë nuk mund të bëhet pa një prezencë perfekte të barazisë gjinore. Në këtë drejtim, unë e shoh që shumë shpejt, ajo që ne kemi vënë në Kodin Zgjedhor, që një në tre deputete duhet të jetë zonjë, shumë shpejt duhet të bëhet që, një në tre duhet të jetë e seksit tjetër, sepse shumë shpejt do duhet të fillojë mbrojtja për burrat”, - shtoi ministri Klosi.

“Numri i vajzave dhe grave të diplomuara është rritur vit pas viti dhe aktualisht janë më shumë gra me arsim universitar se sa burra për grup moshën 25-39 vjeç. Por një pamje e ndryshme paraqitet kur flitet për shkallën e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, e cila vijon të mbetet më e ulët se për burrat si dhe për përfaqësimin e tyre në nivelet e larta të vendimmarrjes dhe të menaxhimit të kompanive që operojnë në Shqipëri”, - tha Linda Rama, drejtuesja e grupit të ekspertëve që realizoi studimin.

Gjithashtu ajo shtoi se “kompanitë publike nën administrimin e qeverisjes lokale kanë vetëm 17.7 % gra anëtare bordi, ndërsa në 42 kompani të tilla nga 76 gjithësej asnjë grua nuk është në bord”.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria

Conference League/ Chelsea fiton me katër gola, tri pikë edhe për Fiorentinën! Në Gjermani gjykojnë arbitrat nga Shqipëria