Studimi: "Qeni i Tërbaçit, një racë
autoktone shqiptare"

Ideologu ynë i madh i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, në veprën e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, shkruan kështu për popullin tonë : “...Shqiptarët kanë shumë dëshirë të dinë e të mbajnë bagëti e çdo farë gjë të gjallë...”.

Kjo traditë e popullit tonë për mbajtjen e gjësë së gjallë, vjen e trashëguar që nga ilirët – stërgjyshërit tanë. Shkrimet e historianëvë të vjetër, e vërtetojmë më së miri këtë fakt. Aristoteli (shek IV p.e.s.), filozofi më i madh i Greqisë së lashtë, në veprën “Mbi historinë e kafshëve” ai shkruan : “...lopët e Epirit të mëdhatë, japin secila një shtamë e gjysmë nga të dy sisët...” dhe më tej “…përveç gomarit, në Epir rriten edhe kafshë të tjera të trasha dhe mbi të gjitha qetë dhe qentë...”. Pra, na rezulton se populli ynë historikisht që në antikitet, ka mbajtur krahas kafshëve të tjera bujqësore, edhe qentë si mjete pune për ruajtjen e bagëtisë ndaj rreziqeve tw ndryshme.

Në këtë shkrim, unë do të mundohem të paraqes, pikërisht traditat e blegtorit shqiptar në mbarështimin e qenve si dhe do të argumentoj sa të mundem faktin se, në mbarë trojet shqiptare mbahen dhe kultivohen dy raca qensh autoktonë. Njeri quhet qeni i Sharrit ose “Deltari ilir” dhe mbahet nga barinjtë e zonës së Sharrit (Kosovë e Maqedoni), kurse tjetri është “qeni i Tërbaçit”, i cili është kultivuar në shekuj nga barinjtë e fshatit Tërbaç (Vlorë). Për qenin e Sharrit, kanë shkruar me kohë specialistët kosovarë të qenve, të cilët duhet të përgëzohen edhe për botimin e revistës “Deltari ilir - organ i Shoqatës Kinologjike Kosovare”. Për lexuesin sqarojmë se, kinologjia është shkenca që meret me studimin e qenve. Për sa i përket qenit të trevave të jugut, i quajturi “qeni i Tërbaçit”, unë do të mundohem t'i përgjigjem thjesht, por në mënyrë shkencore pyetjes : A është ky qen një racë ose një tip i veçantë qeni autokton shqiptar?
 
Shkenca e biologjisë në lidhje me llojet dhe racat e kafshëve, na mëson se racat ruhen si të tilla, kur ato mbahen të izoluara dhe nuk përzihen me raca të tjera. Pra, një kafshë quhet racë e pastër dhe autoktone, përderisa në populacionin e saj nuk kemi shkëmbim genesh me grupe a populacione të tjera kafshësh (imigracion ose emigracion genesh). Dihet se genet janë ato struktura që përcaktojnë tiparet e jashtme të çdo qenie të gjallë. Ato nuk ndryshojnë, por vetëm trashëgohen brez pas brezi brenda individëve të të njejtit lloj ose racë kafshe. Le të zbresim në rafshin konkret dhe ti shohim këto fenomene edhe tek qeni ynë.

Shpesh, në Labëri përdoret shprehja : “Ma ke kokën si qen Tërbaçi”!. Natyrshëm lind pyetja, se përse qentë e kësaj treve janë mbartës të emrit të këtij fshati të zonës së Lumit të Vlorës? Emërtime me natyrë toponimike për lloje të ndryshme kafshësh bujqësore në vendin tonë, njihen disa të tilla si p.sh. “dhija e Hasit”, “dhija e Mokrës”, “delja e Lumës”, “delja Shkodrane”, “delja Rude” etj. Secila nga këto raca bagëtish të imta, “Qeni i Tërbaçit” dallohen mes tyre nga tipare të veçanta të prodhimtarisë, të formave trupore, të ngjyrës së mantelit si dhe të disa veçorive specifike. Kështu është edhe me qenin e Tërbaçit.
qen
(Qeni i Tërbaçit)
 
E para gjë që vërehet tek ai, është koka e madhe dhe tepër e dukshme. Ajo është përafërsisht 40% e lartësisë trupore. Lartësia e qenit është rreth 60 - 65 cm, kurse gjatësia 110 - 120 cm. Perimetri i gjoksit shkon nga 85 cm deri në 95 cm, kurse gjerësia në shpatullat 30 - 35 cm. Pesha trupore rreth 40 - 50 kg, por edhe më shumë. Pra, rezulton se ai ka një trup masiv dhe të fuqishëm, që shoqërohet me një kokë të madhe – pra, pikërisht ky është edhe tipari më karakteristik i kësaj race qeni.

Përsa i përket formës së kafkës së kokës së qenve, egzistojnë tre forma bazë: dolikocefale (p.sh. raca Saluki me origjinë nga Lindja e Mesme), mezocefale (p.sh. raca Pointer e gjuetisë me origjinë Angleze) dhe brakicefale (p.sh. Boxeri gjerman).

Forma e kokës së qenit tonë të Tërbaçit është mesatare mezocefale, as e gjatë as e ngushtë, as e shkurtër as e gjërë, por e fuqishme. Ballin e ka të gjerë dhe pak të rrumbullakët. Kurse, përsa i përket tipit të kokës, ajo është lupoido-mollosoide. Theksojmë se termi “mollosoid”, është huazuar pikërisht nga emërtimi i tillë i qenve që mbanin fiset ilire të mollosëve në antikitet dhe që përdoret sot në shkencën kinologjike, për të treguar qentë me trup të madh dhe shumë të fuqishëm.

Qentë e tipit lupoid, janë ato raca që kanë shumë afërsi filogjenetike me ujkun. Dihet shkencërisht se qeni i sotëm Canis familiaris, origjinën e tij të lashtë e ka nga një lloj ujku, Canis lupus. Pra, na rezulton se qeni ynë është shumë i afërt gjenetikisht me të. Si i tillë ai është i lashtë e primitiv, i papërpunuar dhe i pakryqëzuar, rrjedhimisht autokton. Duke qenë edhe tip mollosoid, rezulton se është i lashtë rreth 24 shekujsh. E themi këtë për faktin, se autorë të shumë të antikitetit i përmendin qentë e fiseve mollose të Epirit të Ilirisë, tepër të famshëm në llojin e vet. Thuhet se mbreti mollos Tharypa, preu edhe monedha me pamjen e këtij qeni të famshëm.

Në lidhje me tipin dhe formën e kokës, na rezulton se qeni ynë përafron me racat e qenve anglez. Sigurisht edhe për nga madhësia, në botë ka shumë raca me kokë të madhe. Le ti analizojmë këto dy fakte, për të parë se si qendron qeni ynë në raport me to.

Brenda vendit nuk ka përafrim me qen të krahinave të tjera, që të mund të krahasohet qoftë shprehimisht me kokën e madhe të tij. Nga ana tjetër, mundësia e lidhjes me qentë anglezë është e paktë, për shkak të largësisë së madhe prej saj. Duhet të kemi parasysh, se vendi ynë historikisht është zhvilluar si një ekonomi e mbyllur dhe e izoluar nga vende të tjera, pra si me thënë ai është kullandrisur me yndyrën e vet. Vetëm në fillim të shek. XX, janë sjellë nga jashtë vendit kafshë bujqësore. Qentë kanë hyrë në mënyrë sporadike, nga individë të apasionuar të gjuetisë shumë më vonë, kur raca e vendit tashmë ishte konsoliduar si e tillë. Pra, në këtë kuptim, vendi ynë ka qenë tërësisht i pastër ndaj racave të huaja.

Shkencëtari i madh Darvini thekson se, në krijimin e racave të kafshëve të ndryshme, një rol të rëndësishëm luajnë edhe faktorët e mjedisit si p.sh. terreni, të ushqyerit, klima, rrugët e komunikimit mes populacioneve etj. Pikërisht për të parë edhe këtë aspekt shkencor, le ti hedhim një vështrim të përgjithshëm gjeografik, fizik, topografik e paksa historik trevës së fshatit Tërbaç ku është e lokalizuar kjo racë qeni.
KELYSH QENI
« Këlysh të qenit të Tërbaçit »

Tërbaçi është njëri nga fshatrat e krahinës së Mesaplikut, në luginën e lumit të Vlorës. Ai ndodhet midis kurorës së maleve të Stogoit, Qores, Çikës, Bogonicës, Kunjovës, Çipinit e Tartarit. Terreni i tij dhe përrreth fshatit është fushor, kodrinor dhe malor i thyer me pyje e shkurre vende - vende të zhveshura. Nga perëndimi ai kufizohet me malet e fshatit Brataj deri në qafën e Shëngjergjit, ku kufizohet me fshatin Dukat. Nga veriu kufizohet me fshatin Brataj dhe nga jugu me fshatin Vranisht e malin e Cikës, pas të cilit ndodhen fshatrat e Bregut. Fshati shtrihet në lartësi, nga 200 m e deri në 2000 m mbi nivelin e detit. Si pasuri kryesore zona ka bagëtinë e imët dhën e dhi. Fshati ka plot kullota verore dhe dimërore, në kodrat me shkurre e pyje dhe malet e larta. Banorwt e fshatit Tërbaç, shquhen për tradita të mira në mbarështimin e blegtorisë.

Malet e Tërbaçit janë shumë të mira si kullota, për të veruar e vjeshtuar me mijra krerë dhen e dhi. Pra, blegtoria e saj nuk e ka të domosdoshme për të shtegëtuar në zona të tjera të largëta. Tërbaçi në kuptimin e përgjithshëm, është me një terren tërësisht të thyer malor. Në aspektin fizik, territori ka mundësi tepër të kufizuar komunikimi. Si i tillë ai përbën një ekosistem tërësisht të veçantë dhe i ndryshëm nga të tjerët, kusht ky për një zhvillim të izoluar të bagëtive, pra edhe të qenit të tufës së bagëtive në fjalë. Kjo do të thotë se qentë nuk janë përzjerë me tufa të tjera. Struktura gjenetike e tyre kanë ngelur e pacënuar. Ky pra, ka qenë kushti i parë dhe më vendimtari në krijimin e racës së këtij qeni.

Jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta fuqizuar qenin e tyre, bariu tërbaçot në shekuj ka përdorur në mënyrë empirike por me shumë rezultat, parimet kryesore të seleksionimit e të çiftëzimit të kafshëve. Mësohet se ata kanë përdorur me sukses në këtë drejtim, çiftëzimin e bushtrave të staneve me ujkun e malit. Gjithashtu ka të dhëna, se edhe qentë meshkuj kanë ndërzyer ulkonjën. Shkencërisht dihet se ujku dhe qeni i përkasin familjes së përbashkët Canide, prandaj midis tyre mund të realizohet çiftëzimi kryqëzues i tipit alternativ.

Përveç kësaj, intuita dhe zgjuarsia natyrore e barinjve tërbaçot, nuk ndalej me kaq. Pasi bushtra pillte, kulishët mbaheshin 1,5–2 vjet brenda në katua në errësirë të plotë dhe larg njerëzve e kafshëve të tjera. Kjo, derisa ata të bëhen të aftë si qen roje stani. Në të njejtën mënyrë vepron edhe ulkonja, e cila këlyshët e saj të vegjël i nxjerr nga strofulla vetëm natën. Gjatë kësaj kohe, këlyshët ushqehen me produkte shtazore si bulmet dhe mish, ashtu si edhe ujku. Për fanatizmin dhe xhelozinë ndaj qenit të tyre, flet edhe ky fakt. Rreth viteve 1870, një nëpunës i xhandarmërisë turke qw punonte në krahinën e Mesaplikut – Vlorë, ka marrë vjedhurazi një çift këlyshësh të vegjël të këtij qeni dhe i ka çuar ata në krahinën e Pejë – Junikut (Kosovë).

Le të flasim edhe për disa karakteristika dhe veçori të tjera dalluese të qenit tonë. Barinjtë tërbaçot kanë arritur te krijojnë një tip qeni me nam. Ata i mbanin qentë të ushqyer mirë dhe i mësonin të bëheshin të egër. Kështu, jo më kot është përhapur në popull thënia: “I fortë si qen Tërbaçi ”. Si njeri i vetmuar gjithmonë nëpër male, gërxhe apo livadhe, ditë e natë pas bagëtisë, çobani tërbaçiot detyrohej të kishte të paktën tre “shokë” të përhershëm dhe të pandarshëm: qenin, kërrabën dhe culen (fyelli, xhura). Që kulish, qeni mësohej të ishte sa më i egër ndaj grabitqarëve, por edhe i bindur ndaj të zotit, si dhe miqësor për ata që nuk i preknin mallin të zot. Qentë mësoheshin edhe si shoqërues të mallit. Bariu e ushqente qenin e tij, sikur ta kishte“djalin” e vet dhe ishte po aq shumë i dhimbsur për të.

qeni mollos
(Qeni Mollos - kopje e një skulpture të lashtë të antikitetit)

Edhe një tipar tjetër i veçantë i këtij qeni, është forma dhe pozicioni i veshëve. Ata janë relativisht të gjatë. Kanë formën e trekëndëshit të varur, janë të puthitur mirë, mbulojnë vrimat e veshëve dhe janë të përqëndruar larg njëri tjetrit. Me gjatësinë e tyre ata arrijnë gati te nofulla e poshtme, por zakonisht priten pjertazi. Ndryshe ndodh p.sh. me Deltarin ilir, të cilit përgjithësisht nuk i priten veshët. Prerja e veshëve të qenit është një traditë e barinjve të lebërisë. Ajo bëhet me qellimin, që edhe në gjumë veshët të mos pengojnë dëgjimin, e qeni të jetë sa më vigjilentë.

Në lidhje me aftësitë e bushtrës për riprodhim, ky qen është «tardiv », domethënë që vjen vonë në periudhën e riprodhimit. Të tilla janë të gjitha racat e lashta primitive. Ata rriten ngadalë, femrat e tyre pjellin për herë të parë në moshën 4 vjeçe, duke bërë vetëm 1 ose 2, rrallë 3 - 4 këlysh. Bushtrat (buçet) pjellin vetëm një herë në vit.

Ky qen është shumë i shkathët, i zgjuar dhe besnik ndaj të zotit. I dëgjuar, roje i shkëlqyer i bagëtive, aq sa është në gjendje të njohë bagëtitë që ruan, dhe të largojë nga tufa çdo krerë tjetër që futet në tufë. Tradita na tregon se, barinjtë përpara se të blejnë bagëti të tjera për shtesë, i marin ato dhe i mbajnë veç me qentë e kopesë, me qellim që kafshët të ambjentohen me to për disa ditë, e më pas i fusin në tufën e madhe. Ky qen, ambjentohet shumë shpejt me gratë dhe fëmijët dhe në përgjithësi nuk i ngacmon ata. Po të tentosh ta qëllosh, është mjaftë i egër dhe nuk tërhiqet mbrapa po nuk të kafshoi, aq sa thonë që “mos e ngacmo se ai nuk di të mbajë shkop ». Zakonisht qeni i mirë është ai, që nuk pranon të huaj pranë vetes dhe rreth pronave të të zotit. Ai nuk lejohet të ngopet me ushqim dhe zakonisht ushqehet një herë në ditë.

Edhe në lidhje me formën e veshëve, na rezulton se ky qen ngjason me qentë e racave « Maremman » - Itali, « bariu i Kaukazit » - rreth detit Kaspik dhe detit të Zi, me « bariun e Anadollit », dhe « Akbash » – të dy në Turqi. Pra, këta qen ndodhen gjeografikisht larg nga areali gjeografik i qenit tonë të jugut. Pra nuk kemi përzjerrje genesh mes tyre. Gjithashtu, qimet e trupit në qafë dhe shpinë zakonisht janë të ashpra, ndryshe nga qimet e tjera të trupit, që janë më të buta e më të shkurtëra. Fakti i pasjes në mantel me shumicë i qimeve të ashpra, tregon se është një racë primitive, autoktone dhe e pa kryqëzuar me raca të tjera ekzotike e të kultivuara, të cilat kanë si tipar të dallueshëm një mantel me qime të buta. Pra, rezulton se qeni ynë është një racë e veçante krejtësisht shqiptare.

Përsa parashtruam më sipër, mund të konkludojmë se: qeni i bagëtisë që kultivojnë barinjtë e fshatit Tërbaç dhe trevave përreth, është një qen autokton dhe i kultivuar në shekuj prej tyre. Ajo është një racë e pastër gjenetikisht, që ndryshon si me qentë e zonave të tjera të vendit tonë, duke përfshirë edhe qenin autokton të Sharrit, ashtu edhe me racat e qenve ekzotikë, të cilët kanë hyrë në shekuj në vendin tonë. Pra “qeni i Tërbaçit ” duke qenë një pasardhës direkt i qenve mollos të Ilirëve, ai përbën një resurs gjenetik i cili duhet studjuar më tej dhe duhet ruajtur si gjenofond autokton me vlera kombëtare.

qeni i sharrit
(Qeni i Sharrit ose «Deltari ilir»)

Pra, populli shqiptar ka me ç’farë të krenohet edhe në fushën e kinologjise, sepse ajo zotëron dy raca qensh tërësisht autoktone shqiptare e me vlera të mira përdorimi për blegtorinë, të cilat janë «qeni i Tërbaçit» dhe «qeni i Sharrit».

qen
(Vigjilentë në mbrojtje të gjësë së të zot)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?

Frrok Çupi: Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?