Një stuhi e fuqishme dëbore po përshkon SHBA-në veri-lindore, duke paralajmëruar se 14 shtete do të preken nga ajo. Disa pjesë të Pensilvanisë dhe Nju Jorkut parashikohet të shohin deri në 60cm dëborë.
Ndërkohë që Shërbimi Kombëtar i Meterologjisë ka paralajmëruar për "kushte të rrezikshme, në mos të pamundura të udhëtimit dhe shkëputje të energjisë elektrike".
Zyrtarët thonë se nuk presin që stuhia të pengojë shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19, e cila filloi në SHBA të Hënën, megjithatë kishte raportime për mbylljen e përkohshme të disa qendrave të testimit në disa shtete.
Pjesë të ndryshme në Pensilvaninë qendrore panë më shumë se 33 cm dëborë të mërkurën në mbrëmje, duke vështirësuar ndjeshëm gjendjen, veçanarisht transportin.
Ndërkohë që janë shënuar edhe dy viktimat e para, pas një përplasje të disa makinave në Pensilvaninë qendrore. Shumë njerëz u plagosën gjithashtu në përplasjen e cila përfshiu midis 30-60 automjete.
Gjashtë vetë u lënduan gjithashtu në një përplasje me shumë makina në New York, e cila përfshiu të paktën 27 automjete.
Kryebashkiaku i New Yorkut Bill de Blasio paralajmëroi se stuhia mund të jetë më e madhja që qyteti ka parë në disa vjet, duke paralajmëruar banorët që "ta marrin këtë seriozisht".
Shkollat në të gjithë qytetin zhvillojnë mësimet online, ndalohen piknikët në natyrë dhe rrugët e trageteve në qytet janë ndalur. Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore janë pezulluar në të gjithë veri-lindjen.
Sekretarja amerikane për Transportin Elaine Chao paralajmëroi ata që ishin në rrugën e stuhisë "të dinë se pritet për zonën tuaj dhe mos vozisni në kushte të rrezikshme".