Një stuhi me reshje të dendura dhe erëra deri në 113 km/orë goditi të enjten lindjen e SHBA-së, duke përmbytur zona bregdetare e duke lënë mbi 980 mijë familje pa energji elektrike. Më të prekurat ishin Pensilvania, Virxhinia, Merilendi dhe Nju Xhersi. Në disa zona, rikthimi i energjisë mund të kërkojë disa ditë.
Moti i keq vështirësoi udhëtimet për Ditën e Falënderimeve, kur mbi 80 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë gjatë javës së festës. Vetëm të enjten u anuluan më shumë se 400 fluturime dhe rreth 2 200 të tjera pësuan vonesa, sipas platformës FlightAware.
Në Nju Xhersi u shpall gjendja e jashtëzakonshme pasi u përmbytën disa vendbanime bregdetare. E njëjta masë u mor edhe për qytetin e Nju Jorkut, Long Island dhe qarkun Westchester. Në Nju Jork, parada tradicionale e Ditës së Falënderimeve u shty për të shtunën.
Uashingtoni regjistroi Ditën e Falënderimeve me më shumë reshje që nga fillimi i matjeve. Uji arriti deri te pistat e aeroportit kombëtar “Ronald Reagan”. Në bregun tjetër të vendit, baticat e larta detyruan kompaninë Amtrak të anulonte disa udhëtime me tren përgjatë bregdetit të Kalifornisë.
Në bregun perëndimor, baticat kaluan 2,4 metra në Los Anxhelos dhe San Diego. Autoritetet u kërkuan qytetarëve të shmangnin plazhet, ndërsa kompania hekurudhore Amtrak anuloi disa udhëtime përgjatë bregdetit të Kalifornisë, pasi uji gërryeu terrenin përgjatë shinave. Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se stuhi të tjera nga Paqësori pritet të sjellin shi përgjatë bregdetit, erëra të forta dhe dëborë në male.






Komente
Komento