Stuhia Austen ka goditur Francën dhe Britaninë e Madhe me erëra të fuqishme dhe reshje të dendura shiu, duke lënë afro 300 mijë banesa pa energji elektrike në Francë dhe rreth 12 mijë në Britani. Motit të keq i janë shtuar edhe ndërprerjet e transportit hekurudhor dhe ajror.
Sipas agjencisë Reuters, erërat arritën shpejtësinë deri në 179 kilometra në orë, ndërsa pemët e rrëzuara dhe mbeturinat në rrugë shkaktuan vështirësi në qarkullim dhe vonesa në aeroporte e stacione treni.
Kompania franceze e energjisë Enedis bëri të ditur se shumica e ndërprerjeve u regjistruan në Bretanjë dhe Normandi. Në Britani ekipet e emergjencës punuan për rikthimin e energjisë në më shumë se 12 mijë banesa.
Ndërkohë ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, njoftoi se trafiku hekurudhor në Normandi ishte pezulluar, ndërsa priteshin probleme të mëdha edhe në linjat e udhëtarëve në Paris. Disa fluturime u devijuan nga aeroporti Charles de Gaulle drejt Orly-t dhe aeroporteve të tjera.
Shërbimi meteorologjik francez lëshoi alarme portokalli për një pjesë të madhe të veriperëndimit të vendit, duke paralajmëruar se erërat e forta dhe stuhitë do të vazhdonin deri të premten në mbrëmje.









Komente
Komento