Franca dhe Britania është goditur nga erërat e forta, ndërsa stuhia Goretti mbërtheu Evropën Veriore, duke lënë pa energji elektrike qindra mijëra familje, nën ‘pushtetin’ e temperaturave të ulëta.

Francë, afër 380.000 familje mbetën pa energji elekrike shumica dërrmuese në rajonin verior të Normandisë, bëri të ditur kompania e shpërndarjes së energjisë Enedis, ndërsa BBC-ja raportoi se rreth 65.000 familje kanë mbetur pa energji edhe në Anglinë jugperëndimore.

Gjatë natës, në rajonin veriperëndimor francez Mançe u regjistruan erëra nga 216 dhe 213 kilometra në orë, thanë autoritetet. Stuhia ka bërë që të rrëzohen pemë në disa rajone dhe në të paktën një rast, një pemë ra mbi një ndërtesë banimi, por nuk pati të lënduar, thanë autoritetet në Francë.

Në disa pjesë të Britanisë priten erëra deri në 160 kilometra në orë dhe “valë shumë të mëdha do të krijojnë kushte të rrezikshme në zonat bregdetare”, tha Shërbimi Meteorologjik i Britanisë.

Shërbimi hekurudhor britanik ka njoftuar se trafiku i trenave do të ndikohet gjatë dy ditëve të ardhshme dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet, përveç në rastet e domosdoshme. Shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura në veri të Francës, ku janë lëshuar paralajmërime për motin e keq në 30 rajone të tjera.

Kushtet aktuale ekstreme të motit në Evropë kanë shkaktuar të paktën tetë viktima, mes tyre edhe 54 vjeçari, punëtor i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, i cili u gjet i pajetë në një nga kanalet e qytetit. Në Kosovë, përmbytjet kanë shkaktuar dëme në disa zona, por nuk ka viktima.

Në Gjermani, reshjet e borës dhe erërat në veri pritet të kenë ndikim në shkolla, spitale dhe lidhjet e transportit. Sipas Shërbimit Meteorologjik në Gjermani, në veri të shtetit mund të bien deri në 15 centimetra borë, ndërsa në jug ekziston rreziku i ngricave. Temperaturat gjatë fundjavës mund të arrijnë deri në -20 gradë Celsius, tha për AFP-në Shërbimi Meteorologjik gjerman.

Kompania kombëtare hekurudhore Deutsche Bahn paralajmëroi për vonesa të konsiderueshme në ditët në vijim dhe tha se ka mobilizuar më shumë se 14.000 punonjës për të pastruar borën nga shinat dhe platformat hekurudhore.