Rusia përbën një kërcënim për zgjedhjet e ardhshme në disa prej demokracive më të rëndësishme europiane dhe rrjetet sociale duhet të bëjnë më shumë për të ndalur rrjetet e botëve që përhapin dezinformim. Paralajmërimi vjen nga Magnus Hjort, drejtori i Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen Psikologjike.

Në një intervistë për Politico, Hjort tha se Kremlini i sheh zgjedhjet si një mundësi për të nxitur përçarje dhe polarizim në shoqëritë europiane. Sipas tij, një nga objektivat kryesorë është krijimi i dyshimeve te votuesit për vazhdimin e ndihmës financiare dhe ushtarake ndaj Ukrainës, përmes përhapjes së pretendimeve të rreme për korrupsion dhe abuzime.

Sipas vlerësimit të autoriteteve suedeze, Moska nuk është e fokusuar te zgjedhjet parlamentare që do të mbahen këtë fundjavë në Suedi, pasi në vend ekziston një konsensus i gjerë politik për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Në vend të kësaj, vëmendja e Rusisë është përqendruar te Gjermania dhe Franca, ku pritet të zhvillohen procese të rëndësishme zgjedhore. Hjort tha se Gjermania, me zgjedhjet rajonale dhe lokale, si edhe Franca, me zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, konsiderohen objektiva me ndikim më të madh.

Ai kujtoi se në Gjermani tashmë ka pasur shqetësime për përpjekje të ndërhyrjes ruse, përfshirë publikimin e materialeve të rreme në rrjetet sociale, ku kandidatë janë akuzuar në mënyrë të rreme për korrupsion dhe krime seksuale. Sipas tij, në Francë situata ndiqet gjithashtu me vëmendje, ndërsa Marine Le Pen kryeson në sondazhet para zgjedhjeve presidenciale.

Hjort kritikoi platformat si Meta, TikTok dhe X, duke thënë se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të çmontuar rrjetet e automatizuara të botëve që shpërndajnë dezinformim të huaj.

Ai tha se agjencia që drejton regjistron vazhdimisht fushata të manipulimit të informacionit nga Rusia, Kina dhe Irani. Së fundmi, sipas tij, është identifikuar edhe një operacion rus që përdor metodën e njohur si "Matrjoshka", e cila synon të angazhojë gazetarët dhe verifikuesit e fakteve me materiale të rreme, duke u konsumuar kohën dhe burimet.

Një tjetër rast i evidentuar nga autoritetet suedeze është një rrjet prej rreth 1.200 botësh në platformën X, që dyshohet se kontrollohej nga një aktor shtetëror. Fillimisht këto llogari publikonin përmbajtje të padëmshme për pushimet apo sportin, ndërsa më pas u përdorën për të shpërndarë mesazhe polarizuese mbi çështje politike. Sipas Hjort, vetëm gjatë viteve 2025 dhe 2026 ky rrjet publikoi rreth 50 mijë postime dhe komente.

Megjithatë, ai theksoi se autoritetet suedeze nuk shohin aktualisht një fushatë të koordinuar kundër zgjedhjeve të kësaj fundjave në Suedi. Sipas tij, një nga rreziqet më të mëdha është që frika nga ndërhyrjet e huaja të përdoret më pas për të vënë në dyshim legjitimitetin e procesit zgjedhor.