Ministrat Ferit Hoxha dhe Maria Stenergard
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologen suedeze, Maria Stenergard, në kuadër të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel. Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Suedisë, përfshirë edhe bashkëpunimin si vende aleate në NATO.
Sipas tij, palët shkëmbyen mendime mbi zgjerimin e Bashkimit Europian, sigurinë rajonale, bashkëpunimin euroatlantik dhe mënyrat për forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve. Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj rrugës europiane të Shqipërisë, si edhe për ndihmën përmes SIDA-s në mbështetje të reformave, shtetit të së drejtës dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Në takim u diskutua gjithashtu për bashkëpunimin në përballimin e sfidave të përbashkëta, forcimin e qëndrueshmërisë dhe promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Dy ministrat rikonfirmuan edhe mbështetjen për Ukrainën, në prag të takimit ministror të NATO-s që do të mbahet më 21-22 maj në Helsingborg.
Postimi i plotë i Hoxhës në X
“Ishte kënaqësi të takoja homologen time suedeze, Maria Stenergard, në kuadër të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme (FAC).
Rikonfirmuam edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Suedisë, përfshirë edhe si aleatë në NATO, si dhe shkëmbyem mendime mbi prioritetet e përbashkëta, përfshirë zgjerimin e BE-së, sigurinë rajonale, bashkëpunimin euroatlantik dhe mënyrat për të forcuar e thelluar më tej partneritetin tonë dypalësh.
Shpreha mirënjohjen e thellë të Shqipërisë për mbështetjen afatgjatë të Suedisë, përfshirë përmes SIDA-s, si edhe për mbështetjen e saj të qëndrueshme dhe parimore ndaj rrugës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Suedia mbetet një partner shumë i vlerësuar në mbështetje të axhendës sonë të reformave, shtetit të së drejtës, konsolidimit demokratik dhe të ardhmes europiane.
Diskutuam gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit më të ngushtë për përballimin e sfidave të përbashkëta, forcimin e qëndrueshmërisë, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa i afrohemi takimit ministror të NATO-s që do të zhvillohet më 21-22 maj në Helsingborg, rikonfirmuam rëndësinë e ruajtjes së mbështetjes sonë të palëkundur për Ukrainën dhe kauzën e saj të drejtë, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për një Europë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar.”
Lajmi kryesor:
Bruksel/ Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor takohen me ato të BE-së, Kos: Zgjerimi prioritet! 200 mln euro mbështetje për Shqipërinë dhe Malin e Zi











