Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi samitin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin, si "sukses të madh" dhe tha se e mirëpret "takimin e dytë" me të, për të zbatuar disa nga idetë e diskutuara në Helsinki. Trump, me disa postime në Twitter, kritikoi edhe shtypin për mbulimin e perceptuar negativ të takimit të tij me liderin rus.
Samiti me Rusinë ka qenë sukses i madh, përveç armikut të vërtetë të njerëzve: lajmeve të rreme. E mirëpres takimin tonë të dytë, në mënyrë që të nisim zbatimin e shumë gjërave të diskutuara, përfshirë ndalimin e terrorizmit, sigurinë për Izraelin, çështjen bërthamore", tha Trump, sulmet kibernetike, tregtinë, Ukrainën, paqen në Lindjen e Mesme e të tjera. Ka shumë përgjigje, disa të lehta, disa të vështira, për këto probleme, por të gjitha mund të zgjidhen.
Presidenti i SHBA, Donald Trump
Shtëpia e Bardhë nuk ka dalë me deklarata zyrtare për takimin e dytë të mundshëm të Trumpit me Putinin. Dy liderët janë takuar më 16 korrik në Helsinki të Finlandës, shkruan REL. Trump është përballur me kritika të fuqishme nga ligjvënësit amerikanë, pas paraqitjes së tij në konferencën për media me Putinin, ku ka refuzuar ta fajësojë liderin rus për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Trump më vonë ka thënë se është keqinterpretuar.