Sulejman Gjana: Varri i
mbretit Zog, më i vizituari

Sulejman Gjana: Varri i <br />mbretit Zog, më i vizituari
TIRANE - Nënkryetari I PLL-së, Sulejman Gjana, në një intervistë për "Shqiptarja.com" thotë se kthimi i eshtrave t ëish-mbretit Zog në Shqipëri është një ngjarje e shënuar për vendin sidomos në këto ditë që shënojnë edhe festimet për 100 vjetorin e pavarësisë.

Z.Gjana ju sapo jeni kthyer nga Parisi për ceremoninë e zhvarrimit të eshtrave të ish-mbretit Zog. Cilat ishin detajet më mbresëlënëse për ju për këtë ceremoni shtetërore edhe për shtetin francez?
Sigurisht që ishte një moment plot emocione pasi për mua riatdhesimi i eshtrave të çdo shqiptari shënon dashurinë për Atdheun dhe sigurisht kur bëhet fjalë për Mbretin Zog, i cili gjithë jetën e vet ia kushtoi vendit të vet dhe Shqiptarëve, kjo ngjarje merr një rëndësi të veçantë. Më bëri përshtypje shprehja e vlerësimit dhe miqësisë që autoritetet më të larta franceze treguan me këtë rast me prezencën e zyrtarëve të lartë të shtetit, me nderimet ushtarake, me bandën e ushtrisë që interpretuan Himnin e Flamurit, atë francez dhe marshin funebër. Gjithçka ishte organizuar në mënyrë perfekte nga shteti francez për të nderuar siç i takon trupin e një kryetari shteti, një aleati të botës perëndimore dhe të një monarku vizionar siç e quajtën shtetarët francezë. Mendoj se kjo duhet të shërbejë edhe si mësim për ata zëra që vazhdojnë të frymëzohen nga një ideologji tashmë e dështuar në vendin tonë.

Sa e vështirë ishte rikthimi i tyre në Shqipëri, ku tashmë gjenden edhe varret e anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore?
Edhe pse dikush mund ta konsiderojë të vonuar këtë ngjarje, unë mendoj se gjithçka po shkon në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Sigurisht se në këtë vit jubile të 100-vjetorit të Shqipërisë i takonte personalitetit që luajti një rol determinant në historinë bashkëkohore të Shqipërisë që të riatdhesoheshin eshtrat e veta. Nuk ka dyshim se Qeveria Shqiptare dhe vetë Kryeministri i vendit Berisha kane bërë gjithçka të mundur në këtë drejtim.

Shumë prej figurave që iu varrosën eshtrat në Shqipëri, monumentet e tyre kanë mbetur në mëshirë të fatit. Kujtoj këtu Faik Konicën të cilit i thyen edhe pllakën e varrit, apo sjellja e eshtrave me karrocë në Rinas e Dom Nikollë Kaçorrit. Si do të ruajë Oborri varrin në Shqipëri të ish-mbretit Zog?
Trupi i Mbretit Zog do të prehet, bashkë me anëtarët e tjerë të Familjes Mbretërore Shqiptare, në Mauzoleumin që është rindërtuar nën kujdesin e Institutin të Monumenteve të Kulturës dhe besoj se ai vend do të jetë shumë shpejt një nga vendet më të vizituara të Tiranës. Në këtë drejtim nuk kam asnjë dyshim se edhe do të merren masat e duhura për ruajtjen e tij. Sa për prishjen e varreve, më vjen keq që ka në Shqipëri njerëz që nuk dinë të respektojnë traditën e popullit tonë dhe bëjnë akte prej huligani, gjë që nuk i shkon për shtat Shqiptarëve. Më kujtohet se në vitin 1977, Sigurimi shqiptar pati bërë një tentativë për vjedhjen e arkivolit të Mbretit Zog në Paris por, pasi ai regjim ka perënduar tashmë, besoj se edhe idhtarët e tij të vjetër kanë mësuar diçka nga demokracia.

Rivarrimi i eshtrave të mbretit të parë të shqiptarëve, është parashikuar për nesër. Ku si dhe çfarë do të përmbajë mauzoleumi i familjes mbretërore? Nëse jeni në dijeni çfarë ka mbetur nga ai që kishte qenë para ardhjes së rregjimit komunist në pushtet në fundvitin 1944?
Siç e dini, Mauzoleumi origjinal ishte shkatërruar nga komunistët në vitin 1944 dhe po në atë vend Qeveria Shqiptare ka rindërtuar një Mauzoleum me parametra moderne arkitekturale, duke u bazuar sigurisht në planin dhe strukturën e mauzoleumit origjinal. Aty, përveç eshtrave të Mbretit Zog, do të prehen edhe eshtrat e Mbretereshës Geraldinë, Mbretereshës Suzan, të Mbretit Leka dhe të anëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore Shqiptare.

Siç e dini ka patur një reagim nga shoqatat e veteranëve të luftës partizane, të cilët e cilësojnë të qëllimshëm vendosjen e ditës së rivarrimit të eshtrave të mbretit Zog ditën kur partizanët çliruan Tiranën. Kush e vendosi këtë datë dhe a ka lidhje me festën e çlirimit?
Per mendimin tim, 17 nentori 1944 nuk shënon ditën e çlirimit të Tiranës, por ditën e pushtimit të vendit nga një ideologji e huaj. Populli duhet të kuptojë se komunistët krijuan mite false që nuk duhen besuar më. E vërteta është se më 17 nëntor 1944, komunistët hodhen në ajër Mauzoleumin e Nënës Mbretëreshë Sadije, duke treguar kështu një gjest të shëmtuar dhe barbar. Mendoj se ishte e natyrshme që pikërisht më 17 nëntor të rindërtohej ai Mauzoleum.

Rregjimi komunist e quante satrap, madje ende ka historianë që që vijojnë ta quajnë të tillë, duke shtuar se ai braktisi vendin dhe mori edhe thesarin e shtetit. Për të mbetur këtu, çfarë i ka dhënë historisë së Shqipërisë në këtë 100 vjetor pavarësie ish-mbreti Zog dhe sa të drejtë kanë disa historianë që thonë se në këtë 100 vjetor po rehabilitohet figura e Zogut në vend që të ngrihet lart Ismail Qemali apo Fan Noli?
Siç e thashë më parë, komunistet krijuan mite false për të justifikuar diktaturën dhe regjimin ilegjitimin që vendosën me dhunë në vendin tonë. Nuk besoj se ekziston një njeri i ekuilibruar në Shqipëri që të mund të mohojë se diktatura komuniste shkaktoi mijëra viktima, dhjetra mijëra të burgosur dhe të persekutuar politikë dhe se e çoi vendin dhe popullin tonë mbrapa. Sa për Mbretin Zog, mjafton të përmendim rolin e tij të pamohueshëm në mbrojtjen e kufijve verior të Shqipërisë në prag të shpalljes së pavarësisë në 1912, kontributin e vet për pavarësinë e vendit, rolin e vet kryesor në Kongresin e Lushnjës dhe se ishte Mbreti Zog që themeloi institucione moderne në vendin tonë dhe garantoi shtetin ligjor. Lidhur me Ismail Qemalin ose Fan Nolin, besoj se do të vlerësohen edhe ata, secili në bazë të kontributit vet dhe të fushës së vet.

Princ Leka Zogu është një nga nëpunësit e shumtë të shtetit shqiptar. Cila është e ardhmja e idealit monarkik të Shqipërisë?
Une besoj se e ardhmja e Princit Leka varet nga çfarë do të vendosë populli. Jam i bindur se ai do të jetë gjithmonë i gatshëm që t'i shërbejë Kombit dhe Popullit.

Siç edhe e dini, në qershor 1997 shqiptarët votuan edhe për formën e rregjimit, por referendumi u cilësua i dështuar, sepse sipas KQZ shumica votuan që shipëria të mbetej republikë parlamentare. Ka ndërmend Oborri të ritentojë një referendum tjetër për formën e rregjimit në Shqipëri, apo është I kënaqur me republikën parlamentare dhe një post honorific për Princin?
Dihet botërisht se rezultati i referendumit te 1997 ishte i manipuluar. Si shumë të tjerë në Shqipëri, unë besoj se çështja e Mbretërisë nuk është një çështje e mbyllur dhe se, me zhvillimet pozitive për popullin shqiptar në Ballkan, Monarkia do të kthehet në një alternativë të padiskutueshme për të garantuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon dhe gjetkë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?