Të paktën 24 persona u vranë si pasojë e një sulmi kamikaz në kryeqytetin afgan Kabul. Autoritetet lokale thanë se mbi 40 persona të tjera u plagosën, ndërsa pritet që bilanci makabër të rritet.
Sulmi, i kryer në një zonë të qytetit të banuar kryesisht nga shiitë, kishte në objektiv një autobus me punonjës civilë të ministrisë së Minierave.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Najib Danish, i ka thënë agjencisë AFP, se shpërthimi ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në pjesën perëndimore të Kabulit dhe “ka goditur një autobus, i cili po mbartte punëtorët e ministrisë së Minierave”.
Sipas tij, autobusi është shumë i djegur, mirëpo nuk ka konfirmuar nëse të gjithë të prekurit nga sulmi kanë qenë punëtorë të qeverisë.
Shkaqet e këtij shpërthimi, që ka ndodhur mëngjesin e sotëm nuk janë bërë të ditura.
Në zonën ku ka ndodhur sulmi banojnë hazaratë, pakicë etnike shiite në Afganistan.
Pjestarët e këtij grupi kanë qenë pre e sulmeve nga talibanët dhe grupe tjera ekstremiste sunite në Afganistan dhe Pakistan.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com