Një kryetar bashkie në perëndim të Gjermanisë i ka mbijetuar një sulmi me thikë, që dyshohet të jetë kryer për shkak të politikave të tij pro-emigracionit.

Andreas Hollstein, kryetari konservator i Bashkisë së Altenës, u godit në qafë në një dyqan “kebab” dhe u dërgua menjëherë në spital. Qyteti, që ndodhet në rajonin Rehni Verior-Vestfalia, është i njohur për pranimin e kuotave të larta të emigrantëve.

“Autoritetet e sigurisë mendojnë se agresioni ka patur motive politike”, deklaroi kryeministri i rajonit, Armin Laschet. Kryebashkiaku është pjesë e partisë CDU, të kancelares Angela Merkel.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes, të cituar nga mediat gjermane, deklaruan se agresori, që tashmë është arrestuar, kritikoi me zë të lartë politikën pro-emigrantëve të kryetarit para realizimit të sulmit.

Në një postim në rrjetin social Twitter, kancelarja Merkel u shpreh: “Jam e indinjuar nga sulmi me thikë ndaj kryebashkiakut Hollstein dhe njëkohësisht shumë e lehtësuar që ai është mirë dhe në gjendje të kthehet tek familja e tij. Faleminderit të gjithë atyre që e ndihmuan”.

Performanca e dobët e partisë Kristian Demokrate në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit i është atribuuar kryesisht politikës së kancelares për azilkërkuesit, e shoqëruar me moton “mund t’i menaxhojmë”.

Merkel pranoi mbi 1 milion azilkërkues, shumica e të cilëve myslimanë, gjatë krizës së refugjatëve të viteve 2015-2016.