Presidenti amerikan Barack Obama ka pasur një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel. Të dy liderët kanë shprehur shqetësimin mbi situatën në Ukrainën Lindore duke veçuar rëndësinë e “intensifikimit të dhunës nga rebelët pro-Rusë, mbështetjen nga Rusia, si dhe prishjen e marrëveshjes së armëpushimit të Minsk-ut.
 
Sipas zyrës për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, theksohet se Obama dhe Merkel kanë rënë dakord për rëndësinë e ndihmës financiare ndaj Ukrainës. 

Dje Bashkimi Europian miratoi një rezolutë për Rusinë, ku liderët e 28 vendeve anëtare ranë dakord mbi përgjegjësinë që Rusia mban për sulmin me raketa ndaj qytetit Ukrainas Mariupol, ku humbën jetën 30 persona. Por ka qenë i menjëhershëm reagimi kundër i qeverisë së sapoformuar greke.
 
Ende pa kaluar 24 orë nga marrja e detyrës si kryeministër, Aleksis Tsipras ka hedhur poshtë rezolutën e BE-së duke dalë hapur në mbrojtje të Rusisë. Në një deklaratë për shtyp të qeverisë Greke thuhet se deklarata është lëshuar pa miratimin e vendeve anëtare, e veçanërisht pa pëlqimin e Greqisë, ndaj ata nuk e miratojnë rezolutën e BE-së kundër Rusisë.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)