Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato i është përgjigjur Sali Berishës për deklaratën se nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare bindjet e tij personale, duke iu referuar projektligjit për barazinë gjinore. Deklarata, e bërë gjatë seancës së kaluar parlamentare, nxiti reagime në Kuvend por edhe në Bruksel.
Në një intervistë për Top Story, ambasadori i BE-së e cilësoi deklaratën si të pakëndshme për jetën personale, por shtoi se ajo që ishte e papranueshme ishte “nënkuptimi se po bëja gjëra si ambasador i BE-së, për shkak të historisë sime personale”.
“Mendoj se është koha të kthejmë faqen, për të qenë i sinqertë. Në nivel personal, deklaratat që janë bërë në atë rast, por edhe në raste të tjera në lidhje me jetën time private, do t’i përkufizoja thjesht si të pakëndshme, për të qenë i sinqertë. Dhe ato nuk më prekin edhe aq shumë. E dini, unë jam i rritur, siç thatë edhe ju, një burrë i moshuar. Unë i di zgjedhjet e mia, i kam bërë dhe u qëndroj besnik. Nuk kam pse të justifikoj asgjë. Ajo që më shqetësoi në atë rast ishte nënkuptimi se për shkak të këtyre zgjedhjeve personale, këto zgjedhje personale po më turbullonin gjykimin dhe se po bëja gjëra si ambasador i BE-së për shkak të historisë sime personale. Kjo është diçka që nuk mund ta pranoja, sepse besoj se po e bëj punën time në mënyrë profesionale, me integritet. Dhe kështu isha vërtet i lumtur që shefja ime, Komisionerja Kos, ndërhyri dhe tha se kishte besim të plotë tek unë dhe kjo është e gjitha që më duhej. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Nuk kam nevojë për ndonjë komision që të thotë nëse kjo ishte e drejtë apo e gabuar.”, tha ambasadori.
Ambasadori u pyet edhe për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.
"Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore. Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit.", tha ai.
Gonzato dha edhe një mesazh në ‘emër’ të BE-së teksa tha se nëse preket sistemi i drejtësisë, “kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.
“Por qartë, mesazhi që vjen nga Brukseli është se nëse e bëni këtë, atëherë i kompromentoni shanset tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, sepse, siç e kemi thënë vazhdimisht, reforma në drejtësi me arkitekturën është vendosur, dhe kjo është një kërkesë absolute.”, shtoi ai.
Ndalur te integrimi, Gonzato theksoi se progresi i Shqipërisë ka qenë pozitiv në plotësimin e grupkapitujve në një periudhë të shkurtër kohore, por shtoi se është e nevojshme që të ketë zbatim.
“Ne i përfunduam të gjithë kapitujt në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, pak më shumë se një vit. Pra, kjo është pozitive. Kjo tregon gjithashtu se shtetet anëtare në Bruksel duan të jenë të hapura ndaj ambicies së Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Por, siç e thashë në konferencën për shtyp dhe siç vazhdoj ta them edhe tani, ky është momenti kur ne testojmë aftësinë dhe gatishmërinë e Shqipërisë për të kryer reformat. Sepse për të mbyllur kapitujt, nuk duhet vetëm të miratosh letrat për të cilat po flisja, por edhe t’i zbatosh ato. Dhe kjo është arsyeja pse do të vazhdoj të flas për zbatimin, zbatimin, zbatimin.”, shtoi ai.

Gjatë një interviste televizive, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, u tregua i kursyer kur u pyet për një qëndrim mbi faktin se zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë, konkretisht në tenderin për tunelin e Llogarasë.
"Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore. Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit.", tha Gonzato në emisionin “Top Story”.
Pas kësaj deklarate, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sulmoi ambasadorin e Bashkimit Europian duke thënë se kush flet për prezumimin e pafajësisë, pa theksuar nevojën që ka Shqipëria për barazinë e të gjithëve para ligjit, bëhet thjesht zëdhënës i korrupsionit qeveritar.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Parimi i “prezumimit të pafajësisë” është vlerë europiane, po aq sa respektimi i parimit të “barazisë përpara ligjit”! Cilido që flet për prezumimin e pafajësisë, pa theksuar nevojën që ka Shqipëria për barazinë e të gjithëve para ligjit, bëhet thjesht zëdhënës i korrupsionit qeveritar.
Shqipëria në këto vite të tranzicionit nuk ka vuajtur nga mosrespektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, por nga cenimi permanent i parimit të barazisë përpara ligjit, ku disa kanë patur dhe vazhdojnë të kenë certifikatën e “personave të paprekshëm”. Lufta kundër pandëshkueshmërisë, dhe jo parimi i prezumimit të pafajësisë, ishte objektivi madhor i Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Për këdo që nuk dëshiron të identifikohet si zëdhënës i korrupsionit të Belinda Ballukut, mjafton t'i kujtojmë faktin e thjeshtë se ajo është hetuar nga SPAK, dhe ky i fundit e ka marrë të pandehur, sepse ka provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se në procedurën e prokurimit të Tunelit të Llogarasë, me vlerë 190 milion euro, ishte paracaktuar fituesi dhe ishte shkelur barazia e pjesëmarrësve në tendera publik. Kjo përbën edhe një shkelje të hapur të MSA-së BE-Shqipëri. Bizneset turke të paracaktuara pa garë po zëvendësojnë me shpejtësi investitorët serioz europian, duke shkelur në këtë mënyrë hapur MSA dhe detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian.
Në Portugali, ish-kryeministri António Costa, u përfshi në hetim në nëntor 2023 për një çështje korrupsioni të qeverisë, por jo si i pandehur. Ai u përmend në hetim për çështje lidhur me lejet e projekteve të hidrogjenit dhe minierave të litiumit dhe Prokuroria regjistroi emrin e tij në hetim për ta verifikuar. Costa dha dorëheqje menjëherë, duke thënë: “Nuk mund të lejoj që dyshimi i hedhur mbi mua të njollosë figurën e kryeministrit dhe dinjitetin e shtetit.”. Kjo përbën një diferencë të madhe mes moralit europian dhe korrupsionit qeveritar shqiptar. Më vonë hetimi ndaj tij u mbyll pa gjetje të drejtpërdrejta dhe sot, António Costa është President i Këshillit Evropian, një nga tre postet më të larta në BE.
Ndërkohë në Shqipëri, Edi Rama dhe cilido tjetër që mbron zv.kryeministren e pandehur për korrupsion dhe del si zëdhënësi i Belinda Ballukut, duhet të kujtohet se barazia para ligjit është themeli i një shoqërie europiane dhe demokratike. Belinda Balluku nuk mund të përdorë pushtetin ekzekutiv për të intimiduar dëshmitarë, për të prishur prova, për të korruptuar. Ajo duhet të përballet me drejtësinë pa petkun e pushtetit si numri 2 i Qeverisë shqiptare dhe duke respektuar parimin e barazisë përpara ligjit. Mbajtja e saj në detyrën e Zëvendëskryeministres dhe ministres, është mburojë politike nga drejtësia dhe një formë e qartë presioni politik ndaj prokurorisë.
Komente













Kur flet edhe Bardhja për drejtësi e barazi para ligjit, këts që edhe thirrjet për dëshmi i mohojnë, partia e zezë.
PërgjigjuO legen ti je bashkepunetor ne vrasjen e Elbasanit. SPAK duhet te kishte hapur ceshtje ndaj teje shume kohe me pare.
Përgjigju