Mes shpërthimit shkatërrues përpara portës së vilës në Viale Po 91 dhe alarmit të lëshuar në bisedat e lagjes në Campo Ascolano kaluan vetëm disa çaste. "Dhe nuk ishte as hera e parë", zbulon Nabila, përpara hyrjes së banesës së gazetarit Sigfrido Ranucci, autor dhe moderator i emisionit Report në Rai3, që u bë objektiv i një atentati në mbrëmjen e vonë të së enjtes me një bombë artizanale me fuqi të lartë, e mbushur me barut. Të paktën një kilogram, ndoshta e shtypur në një enë me fitil, që u ndez nga dikush që mori kohën e mjaftueshme për të ikur dhe për t’u fshehur.

"Ai shpërthim nuk ishte i vetmi"

Por, siç tregon vajza që banon në zonën e Viale Po, "ai shpërthim, më i fortë se të tjerët, nuk ishte i vetmi: më 27 shtatorin e kaluar, siç lexohet në chat-et tona të banorëve, po në mbrëmje kemi dëgjuar një shpërthim, dhe e njëjta gjë ka ndodhur më 4 tetor. Dhe përsëri të premten e kaluar. Me pak fjalë, në dritën e asaj që ndodhi me Ranuccin, tani kemi përshtypjen se atentatorët kanë bërë prova, ndoshta për të testuar kohën e reagimit të forcave të rendit".

Një hipotezë ende për t’u verifikuar, por që e bën edhe më të frikshëm një skenar tashmë të ngarkuar me tension në këtë pjesë të vijës bregdetare, pas Villaggio Tognazzi dhe plazheve të Castel Porziano, që në verë mbushen me pushues dhe tani janë të banuara vetëm nga ata që jetojnë në komplekse vilash, pothuajse të gjitha të vjetra, të cilat "prej dy vitesh megjithatë janë rritur shumë në çmim, aq sa pronarët kanë ndaluar shitjet sepse shpresojnë të fitojnë edhe më shumë", shpjegon pronari i të vetmit bar në rrugë.

Tubim solidariteti

Këtu Ranucci dhe familja e tij — bashkëshortja Martina dhe tre fëmijët, dy djem e një vajzë — njihen nga pothuajse të gjithë. Dhe dinë ku banojnë: sot paradite, në orën 11, Komiteti i Campo Ascolano organizoi një tubim me thirrjen "Ne jemi mbrojtja e Sigfridos". Gjithsesi, të enjten në mbrëmje, rreth orës 22:20, shumë njerëz dolën në rrugë.

"Shpërthimi bëri që xhamat e shtëpive të dridheshin, kornizat ranë nga muret", tregojnë banorët. Për Oriana Liviani, presidente e Komitetit të lagjes Campo Ascolano – Cittadinanza Attiva Odv, "në këtë zonë ka tregti droge, por gjithashtu jemi gjendur edhe me fqinjë që kanë qenë të arratisur. Sigurisht, nuk mund ta imagjinonim që mund të ndodhte një gjë e tillë".

Lorenzo, një djalë që ka ardhur së fundmi të jetojë në një vilë pas asaj të Ranuccit, kujton "zërin shumë të fortë të shpërthimit, mendova menjëherë se ishte një fishekzjarr si ato të stadiumeve". Ndërsa Monia, që jeton pothuajse përballë shtëpisë së tij, thotë: "Njerëzit këtu janë të shqetësuar, dhe ishin edhe më parë. Duket si një vend i qetë, por nuk është. Unë preferoj të mbyllem në shtëpi dhe të telefonoj menjëherë karabinierët kur diçka nuk shkon siç duhet. Siç bëra tre net më parë, për shembull, kur dëgjova qartë të shtëna arme në hapësirën e gjelbër përballë Viale Po".

Makina e vjedhur, burri me kapuç

Nëse ka ndonjë lidhje mes atentatit ndaj Ranuccit dhe shpërthimeve të tjera javët e fundit, ende nuk ka konfirmime. Po ashtu, nuk është e qartë nëse Fiat 500 X e vjedhur, e gjetur e parkuar në një rrugë aty pranë, mund të ketë lidhje me ata që vendosën mjetin shpërthyes artizanal. Më konkrete duket dëshmia e një drejtuesi automjeti i cili, sipas banorëve të tjerë, "pa një burrë me kapuç, të veshur me të zeza, që kalonte Viale Po pak sekonda para shpërthimit dhe shkonte drejt livadhit". Ky detaj tani po analizohet nga karabinierët e Njësisë Hetimore të Frascatit, një pikënisje për të kuptuar se kush, pas një ose disa vëzhgimesh për të njohur zakonet dhe lëvizjet e tij, e ka marrë në shënjestër gazetarin e Report./Corriere della sera