Sulmi ndaj Topit, Moisiu:
Tendencë tribale në Shqipëri

Sulmi ndaj Topit, Moisiu:<br />Tendencë tribale në Shqipëri
TIRANË – Ish presidenti i republikës, Alfred Moisiu në një intervistë për gazetën Tema thotë se Fatos Nano ka kontributet e tij të pamohueshme në zhvillimet demokratike të vendit dhe të Partisë Socialiste, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të pretendojë në vazhdimësi për pozicione drejtuese të politikës.
"Është politikani që ka demonstruar në praktikë se dorëheqja është një model demokratik, kur duhet mbajtur përgjegjësi për vendimet dhe veprimet politike. Pra disa herë ka dhënë shembullin pozitiv për zhvillimet demokratike, por kjo nuk do të thotë se ai duhet të pretendojë në vazhdimësi për pozicione drejtuese të politikës. Megjithatë është e drejta e tij të aplikojë. Sigurisht përvoja politike nuk i mungon, por nuk duhet harruar se në karrierën e tij ka pasur dështime që vendit i kanë kushtuar", deklaron Moisiu në intervistën për gazetën Tema.
Moisiu thotë se në një vend demokratik krerët e institucioneve duhen respektuar si të tillë sa kohë janë në detyrë, duke i cilësuar më tej si tendenca tribale sulmet ndaj kreut aktual të shtetit.
“Kryeministrin e respektoj si kryetar i qeverisë, Ramën si kryetar i opozitës, ndërsa Presidentin Topi si Kryetar i Shtetit. Nuk i quaj aspak të drejta sulmet ndaj Kryetarit të Shtetit dhe për këtë jam shprehur në vazhdimësi. Ato tregojnë mungesën e konceptit kushtetues të një shteti të vërtetë ligjor dhe predominancën e tendencave tribale tek ne. Ndarja e pushteteve është tepër e rëndësishme dhe duhet respektuar. Me këtë duhet të mësohemi si duhet, nëse duam një demokraci europiane dhe synojmë me të vërtetë integrimin europian”, thotë ish presidenti Moisiu.
Moisiu, i vetmi president i zgjedhur në mënyrë konsensuale, bën përgjegjës politikanët për tranzicionin e zgjatur të vendit dhe në këtë prizëm kërkon që të shohë rezultate nga marrëveshja e fundit.
“Sa do t’i rezistojë kohës kjo është për t’u parë. Shpresojmë që këtë radhë të ketë arritur diçka në ndërgjegjen e politikanëve shqiptarë, që me mënyrat si është vepruar deri tani nuk mund të vazhdohet më tej. Ata duhet të ndërgjegjësohen, që për këtë stërzgjatje periudhe tranzicioni dhe dështim në politikën e integrimit, përgjegjësinë kryesore e kanë ata dhe vetëm ata. Po e kanë kuptuar këtë, kjo do të jetë jo vetëm një fitore por edhe një siguri se gjërat do të ndryshojnë për mire”, deklaron Moisiu.
Kushtetuta është një tjetër çështje për të cilën ai së fundmi mblodhi dhjetëra ekspertë të huaj dhe vendas. Megjithëse e vlerëson si një dokument me të cilin nuk duhet të luhet, ish-presidenti thotë se mënyra e zgjedhjes së kreut të shtetit nuk është e denjë, ai duhet të zgjidhet nga populli.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore më 30 korrik

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore më 30 korrik