Sulmi në Afganistan, Nëntetar
Peçi shpresë për të mbijetuar
|
Ditari i komandos Peçi |

Sulmi në Afganistan, Nëntetar<br />Peçi shpresë për të mbijetuar<br />| <br />Ditari i komandos Peçi |
KANDAHAR – Ministria e Mbrojtjes jep shenja të shumta shprese se Nëntetar Aleksandër Peçi mund të mbijetojë. 24 vjeçari mbeti i plagosur rëndë, pas një sulmi të papritur, ndaj njësisë amerikano shqiptare dje në Kandahar. Nga sulmi u vra oficeri i ushtrisë shqiptare, Feti Vogli. Ministria e Mbrojtjes thotë se nëntetar Aleksandër Peci i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Mjekët konfirmojnë se me gjithë plagët e marra, ka shpresa të shumta për të mbijetuar. Imami: Plagët e rënda, por skanë prekur organet jetësore.

Ora 14: 00 MINISTRIA: NENTETAR PECI PO PERMIRESOHET ENDE NUK ESHTE BERE TRANSPORTIMI NE GJERMANI
Ministria e Mbrotjes deklaron se gjendja shëndetësore e Nëntetar Aleksander Pecit vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllim masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë.

Ora 11. 41  ALEKSANDER PECI DERGOHET NE GJEMANI
Familjarët e Aleksandër Peçit deklarojnë se 24 vjeçari i cili mbeti i plagosur gjatë sulmit në Kandahar është transferuar sot drejt Ramsteinit ne Gjermani. Lajmin ia kanë komunikuar autoritete të ministrisë së Mbrojtjes.

Ora 08: 30 IMAMI: FETI VOGLI NDEROI FLAMURIN,  PER PECIN, PLAGET SKANE PREKUR ORGANET JETESORE 
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ministri i Mbrotjes z. Arben Imami, së bashku me disa përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie kanë qenë dje pranë familjeve të Feti Voglit dhe Aleksandër Peçit.  Ministri Imami i përcolli ngushëllimet e tij dhe të Forcave të Armatosura familjes Vogli, duke shprehur dhimbjen e thellë dhe mirënjohjen për aktin sublim të birit të tyre.
“Feti Vogli, ra në krye të detyrës duke luftuar me trimëri dhe burrëri. Ai do të mbetet në kujtesën e familjes, të Forcave të Armatosura dhe të të gjithë popullit shqiptar, si një dëshmor që nderoi flamurin dhe kombin e tij”, tha ndër të tjera ministri Imami.

Ministri i Mbrojtjes Imami, vizitoi edhe familjarët e nëntetarit Aleksandër Peci, të cilëve u komunikoi personalisht se sipas konfirmimeve të fundit, gjendja shëndetësore e nëntetarit Peci është shpresëdhënëse. “Ai ka marrë tre plagë të rënda, por që nuk kanë prekur organet jetësore. Sipas konfirmimit që vjen nga Spitali Ushtarak në Kandahar, nëntetar Aleksandër Peci, mund të transportohet në Spitalin Ushtarak në bazën amerikane në Ramstein, Gjermani”. – ka thënë Imami. Ministri i Mbrojtjes, garantoi familjarët se biri i tyre po merr trajtimin më të specializuar mjekësor dhe shpresohet që në orët në vazhdim gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.
Ministri ishte i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe Komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Viktor Bërdaj.

FA: ALEKSANDER PECI DO TRANSFEROHET NE NJE SPITAL NE GJERMANI
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të dhënë pas mesnatës Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura informon se nëntetar Aleksandër Peci i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Lajmi është raportuar, nga Përfaqësuesi i FA në Shtabin e operacionit ISAF në Afganistan. “Gjendja e tij shëndetësore pas operacionit paraqitet e rëndë, por e stabilizuar. Mjekët konfirmojnë se Nëntetar Aleksandër Peci, me gjithë plagët e marra, ka shpresa të shumta për të mbijetuar, gjë që i ka bërë ata të japin autorizimin për transferimin e të plagosurit në një spital të specializuar në Gjermani.

Në njoftim thuhej se autoritetet e NATO në operacionin ISAF në Afganistan po marrin masa që në orët e ardhshme (gjatë orëve të natës, ose gjatë ditës së sotme) Nëntetari Aleksandër Peci të transportohet për në Gjermani.

SULMI DJE NE AFGANISTAN
Vritet komando një tjetër në gjendje kome

Shënohet viktima e parë në rradhët e paqeruajtësve shqiptarë në Afganistan. Fillimisht, ministria e mbrojtjes konfirmoi sot se pas një sulmi të papritur  e të pabesë nga 11 policë afganë drejt komandove tona në Kandahar kanë mbetur të vrarë komandanti i grupit të komandove shqiptarë Feti Vogli, 31 vjec nga fshati Shpat i komunës Baldushk në Tiranë si edhe Aleksandër Peci 24 vjec nga Lekbibaj i Tropojës. Ministria konfirmon se ndaj tyre është hapur zjarr nga policia lokale afgane. 2 orë më pas ministria konfirmoi se 24 vjeçari Peçi ndodhet në spital në gjendje kome.

ORA 18:40 DEKLARATA E PLOTE E MINISTRISE
Sipas njoftimit paraprak te ardhur ne Shtabin e Përgjithshëm te Forcave të Armatosura të RSH, sipas raportit të dhënë nga Komandanti i Kontingjentit “EAGLE-4” N/Kolonel Behar MARA, të trupave tona me mision në Afganistan, bën me dije se:
Më datë 20.02.2012, ora 15:05 lokale në fshatin Robot 2, Kandahar Grupi i 1-rë Special, i drejtuar nga Kapiten Feti Bedri VOGLI, si dhe një grup nga Bat.2-38 CAV, gjatë kryerjes së detyrës, “Patrullim dhe sigurim i personelit të shërbimit të inteligjencës dhe USAID-it”, me mision, kryerja e një takimi, për të bërë të mundur hapjen e dy shkollave dhe një qendre shëndetësore në këtë fshat, papritur në drejtim të tyre është hapur zjarr nga efektiva të policísë lokale (sipas të dhënave paraprake është hapur zjarr nga 5 armë automatike (Aut.Mod.56) dhe një mitraloz i lehtë.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit janë plagosur 3 ushtarakë, një ushtarak i një vendi aleat dhe dy ushtarakë të Kontingjentit “Eagle-4”.
Komandanti i Grupit të 1-rë Special Kapiten Feti Bedri VOGLI dhe N/Tetar Aleksandër Jak PEÇI (specialist armatimi në këtë grup), kanë marrë plagë të rënda dhe kanë ndërruar jetë në spitalin Rol 3 në Kandahar.
Grupi në detyrë, ka bërë arrestimin e 11-të policeve afganë, të cilët kanë hapur zjarr në drejtim të efektivave tona.

ORA 20:15 MINISTRIA: PEÇI NË VDEKJE KLINIKE
Përfaqësues të ministrisë së mbrojtjes kanë vizituar familjen Peçi pas lajmit të ardhur nga Kandahari për sulmin ndaj trupave komando në këtë zonë.
Ata i kanë bërë të ditur familjarëve se 24 vjecari ka pësuar vdekje klinike. Ndryshe nga cfarë u bë e ditur nëpërmjet deklaratës zyrtare më shumë se një orë më parë, zyrtarët u thanë familjarëve se Aleksandri mbahet në jetë nëpërmjet aparaturave.

DEKLARATA E ORES 20:30 E MINISTRISE
Në orën 17:15 minuta, Komandanti i Kontigjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Kolonel Behar Mara njoftoi Qendrën e Bashkuara Operacionale, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura se N/Tetar Aleksandër Peçi, kishte ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak të Komandës ISAF, Rol 3 në Kandahar. I njëjti konfirmim ka mbërritur në orën 17.55 minuta nga ana e Komandës Ushtarake të NATO-s, në Shape, Belgjikë. Në orën 18.15 minuta, ne njoftuam median për lajmin e hidhur pasi kishim njoftuar familjarët, ndërsa në 18.30 minuta kjo u konfirmua në konferencën tonë për shtyp.
Sipas një njoftimi të dytë nga Komandanti i Kontigjentit Eagle 4 në Kandahar, Afganistan, Kolonel Behar Mara, konfirmohet se N/Tetar Aleksandër Jak Peci, i cili u raportua se kishte humbur jetën, tashmë ndodhet në gjendje kome. Ka ende shpresë përmirësimi.  Këtë lajm të mirë ia kemi përcjellë edhe familjes së tij.
Ekipi mjekësor i specializuar po monitoron hap pas hapi ecurinë e gjendjen së tij shëndetësore. Lutjet tona bashkohen me ato të familjet së N/Tetar Aleksandër Peçi, që ai të tejkalojë këtë moment të vështirë.
(aq/am/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!