Sulmi në Afganistan, trupi i
Feti Voglit vjen sot në atdhe

Sulmi në Afganistan, trupi i <br />Feti Voglit vjen sot në atdhe
TIRANE- Trupit të kapitenit Feti Vogli, ushtarak i forcave speciale i vrarë pardje në Afganistan, i janë bërë nderimet ushtarake dje në Kandahar dhe më pas ka nisur procedura e riatdhesimit. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare, të cituara sot nga Shqiptarja.com që thanë se trupi i pa jetë i heroit Feti Vogli, mbërrin në Tiranë sot në mëngjes ose para mesditës me një avion të NATO-s. Ndërkohë familja e tij në Baldushk, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike, ka hapur dyert e mortit.

Atje kanë qenë dje presidenti Bamir Topi, kryeministri Berisha dhe ambasadori Arvizu. "Padyshim, ishte një kurth që iu bë Forcave, por në një mision shumë të moralshëm, së bashku me Forcat amerikane, qoftë Kapiten Vogli, ose Nëntetar Peci, demonstruan që ishin në një mision, të cilin ne e kemi vlerësuar në kuadër të Aleancës më të madhe të Paqes e të Sigurisë, mision të cilin do ta vazhdojmë për të qenë kurdoherë së bashku me aleatët. Unë këtu, sikurse thashë, shpreha ngushëllimet për humbjen e Kapiten Voglit, por nga ana tjetër dëshiroj të shpreh besimin për një shërim të shpejtë të Nëntetar Pecit", u shpreh presidenti Topi.

Kryeministri Berisha u shpreh: "Unë jam i bindur se sot, me familjen Vogli, me prindërit, bashkëshorten, vëllain, janë të gjithë shqiptarët, që marrin nga një copë dhimbje, zi e pikëllim që t'ia lehtësojnë dhimbjen kësaj familje të nderuar". Ngushëllime ka shprehur dhe ambasadori amerikan Arvizu. "Është e pamundur të gjesh fjalët e duhura. Askush se di pse ky fat i ndodhi. Ai nuk vdiq pa një qëllim dhe i gjithë vendi duhet të jetë krenar për atë që bëri", u shpreh Arvizu. Familjarëve të Feti Voglit u janë gjetur pranë edhe dhjetëra trupa komando dhe ata të forcave speciale të ushtrisë, shokë të armës me Feti Voglin. Ata ngushëlluan të afërmit dhe shprehën nderime për efektivin e rënë në krye të detyrës.

Kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të komandove të Forcave të Armatosura, si paqeruajtës të denjë në shërbim të misioneve të NATO-s duke theksuar se me cilësinë e Presidentit të Republikës si dhe të Komandantit të Përgjithshëm, i ka akorduar Nëntetarit Aleksandër Peci "Medaljen e Artë të Shqiponjës", të cilën do t'ia dorëzojë personalisht kur ai të shërohet.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!